E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e Pronësisë, hapat që ndiqen për verifikimin

 

Të gjithë hapat që ndiqen për verifikimin dhe heqjen në raste të caktuara të titullit të pronësisë

TIRANË- Përmes miratimit të ligjit për “Verifikimin e titujve të Pronësisë” në muajin Shtator, qeveria pritet të fillojë edhe punën për verifikimin e titujve të pronësisë. Ky është afati që bëjnë të ditur burime pranë qeverisë. Duke iu referuar draftit të miratuar, titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t'u hiqet titulli i pronësisë, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Ligji do të shqyrtojë nga e para të gjithë titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991 edhe sipas Ligjit 7501. Ashtu siç kanë informuar edhe ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë,ligji ka si synim pikërisht përcaktimin e kritereve të vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore si dhe ngritjen e strukturave shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe krijojnë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas ligjit të miratuar, pritet të verifikohen të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998.

Komisionet vendore

Komisionet vendore do të drejtojnë të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë, për 80 mijë ha tokë. Transformimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore është realizuar në 98.8 për qind të sipërfaqes së parashikuar për ndarje dhe janë dhënë aktet e pronësisë për 96.5% të sipërfaqes së ndarë. Ndaj dhe zbatimi i këtij ligji pritet të zgjasë plot tre vjet. Ligji përcakton se fitimi i një titulli pronësie mbi tokën bujqësore është i vlefshëm atëherë kur kriteret të jenë të ngjashme si në vitin 1991, pra, në rast se toka është përfituar në bazë të rregullave. Dhënia e tokës bujqësore në pronësi realizohet dhe vërtetohet me dokumentin bazë unik, që është akti i marrjes së tokës në pronësi.

Ligji 7501

Familjet që jetojnë në fshat, por që punojnë dhe shfrytëzojnë tokën që ata e kanë pasur para kolektivizimit të sistemit komunist, mund të nisin procedurat e marrjes së titullit të pronësisë. Një fakt i tillë është përcaktuar në ligjin për “Verifikimin e titujve të Pronësisë”. Pra familjet që punojnë këtë tokë, e cila ka tapi të tjera, por jo sipas Ligjit 7501, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Në ligj thuhet gjithashtu se nuk mund të bëhet kërkesë për t'u pajisur me dokumentacion pronësie, kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të Ligjit 7501, si dhe të Ligjit 8053 të vitit 1995.

Tokat e zëna

Një tjetër çështje që trajtohet në ligjin për “Verifikimin e titujve të Pronësisë”

është edhe rasti kur komisionet vendore gjatë verifikimit të dokumentacionit vërejnë se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në ligj. Në këtë rast, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, atëherë Komisioni Vendor i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, por me detyrimin që duhet ta paguajë atë sipas vlerës së tregut, që ka miratuar harta e çmimeve të Agjencisë së Pronave. Në këtë rast, Komisioni Vendor merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor. Ndërkohë, nuk do të lejohet ofrimi i tokave bujqësore, të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit të vitit 1995. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë, të krijuar në mënyrë të kundërligjshme, refuzon ligjërimin e këtij titulli, pra që të paguajë për tokën që ka zënë, Komisioni merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.

Në rast se familjet janë me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit që do të jepet për kompensim do të jetë deri në 500 m2

Titujt para 1996, kompensim deri në 500 m2

TIRANË- Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kjo është parashikuar në ligjin për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë”. Sipas draftit në fjalë, kompensimi në truall do të bëhet në dy variante. Në rast se familjet janë me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit që do të jepet për kompensim do të jetë deri në 500 m2 dhe në rast se për familjet me më pak pjesëtarë, do të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile, të datës 31.12.1995. Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit të qeverisë në vitin 1993 që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin, që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi në këto toka bujqësore do të jetë i njëjtë me përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijës së verdhë. Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara bëhet me vendim të qeverisë, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve për ndërtime publike bëhet sipas rastit, me vendim të KRRT-së të Qarkut ose të KRRTRSH-së, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën.

Titujt e Pronësisë, ngrihet  komisioni qeveritar i tokës

TIRANË- Komisioni qeveritar i tokës është institucioni që sipas ligjit të miratuar do të drejtojë punën e komisioneve vendore që kanë të bëjnë me vendimet që do të merren, aktet, kontrollet si dhe informacioni që do të mblidhet. Ky komision do të drejtohet

nga zëvendëskryeministri. Komisioni Qeveritar i tokës do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve, do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga Komisionet Vendore për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë. Ndërsa Komisionet Vendore do të drejtojnë të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në zonat që ato mbulojnë. Këto komisione do të kontrollojnë direkt veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Këto komisione vendore do të zgjidhin mosmarrëveshjet për kufijtë e tokës bujqësore si nëpërmjet rretheve, ashtu edhe nëpërmjet individëve. Nisur nga kompetencat që kanë marrë përsipër këto komisione, Partia Socialiste ka kundërshtuar jo pak mënyrën se si ato do të operojnë. Kjo për vetë faktin se komisionet në fjalë do të marrin përsipër edhe mjaft kompetenca që në fakt nuk duhet t’u takojnë me ligj, ndërkohë që një pretendim i tillë pak është marrë parasysh nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›