Kampionati fillon me surpriza, barazojnë kampionët
Ekipet të ashtquajtura pretendente nuk arrijnë të shënojnë, madje Besa humbet në shtëpi. Partizani ia del mbanë
Starti i kampionatit është zotëruar nga një ndrojtje e madhe e skuadrave, duke studiuar shumë lojën e njëri tjetrit. Për këtë mjafton të përmendim golin e parë të shënuar në këtë sezon, i cili ka ardhur në pjesën e dytë në minutën e 51 të në Peqin. Shumë vonë, kur kemi parasysh që luheshin 5 ndeshje njëkohësisht. Ekipet pretendente kanë guxuar shumë pak dhe për pasojë Dinamo, kampionia në fuqi, Elbasani, Vllaznia dhe Tirana nuk kanë shkuar më shumë se barazimi, por ka edhe më keq. E pëson euforia kavajase, teksa Flamurtari del fitues me një gol. Ndërkohë Partizani ia del mbanë, edhe pse në transfertë me një debutuese të uritur si Lushnja.
Kampionët nuk e nisin si të tillë
Dinamo, ekipi kampion në fuqi, është ndalur që në javën e parë, edhe pse në letër dukej një ndeshje e lehtë për blutë. Në fakt, Teuta është mbrojtur mirë dhe ka preferuar kundërsulmin, ndërsa Dinamo ka qenë larg atij ekipi me petkun e kampionit, teksa nuk ka arritur të çajë rrjetën e ndërthurrur të ndërtuar me mjeshtëri nga Starova. Durrsakët ia arrijnë qëllimit dhe si duket do të jenë ata "nëndetësja" këtë sezon, teksa pa emra të njohur, por me një "dirigjent" si Starova, do të jenë mes më të mirëve.
Vllaznia-Tirana, dueli mbaron në "paqe"
Duke parë çiftet e javës së parë, natyrisht që ndeshja Vllaznia-Tirana ishte çifti më i fortë. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, takimi ka mbaruar pa gola, duke ndarë nga një pikë secila. Në pamje të parë tifozët shkodranë nuk janë dukur të kënaqur me rezultatin, pasi pritnin më shumë. Por edhe bardheblutë nuk janë dukur të kënaqur, pavarësisht se luanin në transfertë. Gjithsesi, të dyja skuadrat, duke parë edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera, nuk kanë humbur shumë terren në javën e parë, pasi një pikë kanë edhe disa të tjera pretendente.
Apolonia ndal Elbasanin, Besa më keq akoma
Mund të quhen dy surpriza, pa llogarritur ndeshjen e Dinamos. Elbasani nuk ka arritur të thyejë dot fierakët e ardhur nga kategoria e parë. Strategjia e Haxhiut ka rezultuar efikase, edhe pse duhet thënë që Apolonia pothuajse është mbrojtur gjatë gjithë lojës, por që ka marrë një pikë, duke arritur objektivin e premierës. Por kjo është gjysma e së keqes, sepse Besa është mundur në shtëpinë e saj. Euforia kavajase është thyer nga Flamurtari me anë të ish dinamovitit Çaushaj, i cili 4 minuta më vonë ka marrë edhe kartonin e kuq. Por vlonjatët në minutat e fundit janë mbrojtur mirë, duke marrë fitoren e vyer në transfertë.
Kryesuesit, Shkumbini-Partizani-Flamurtari
Sërish këtë sezon peqinasit bëjnë një start të fuqishëm, duke shënuar në ndeshjen e parë plot katër gola. Nora shënon golin e parë të sezonit, ndonëse në pjesën e dytë. Por mos harrojmë që Shkumbini mbet me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Rizvanolli, megjithatë arrin të shënojë edhe tre gola të tjerë. Vetëm në fund të ndeshjes ka vend për një gol të Bylisit nga Nenaj. Kështu, Shkumbini merr kryesimin nga golaverazhi që në javën e parë. Pas tij vjen Partizani, që me anë të një goli të Karapicit, arrin të marrë tre pikë të arta që në start, që ishte menduar shumë i vështirë, pasi luhej në transfertë dhe përballë një Lushnje të karikuar. Ndërsa siç e përmendëm edhe më sipër, edhe Flamurtari është në treshen kryesuese pas fitores surprizë në Kavajë.
Java e dytë, priten më shumë gola
Në javën e parë u shënuan pak gola. Përjashto ndeshjen e Peqinit, ku u shënuan 5 të tillë, në ndehjet e tjera u shënua nga një gol, ose nuk u shënua fare. Gjithsesi u shënuan 7 gola dhe të gjithë në pjesën e dytë, ku tre ndeshje përfunduan pa gola. Pra me një mesatare pak më tepër se një gol, shumë pak. Ndërsa në javën e parë është parë kjo ndrojtje, në javën e dytë natyrisht që ekipet do të çlirohen dhe me siguri do të kemi më shumë gola. Interesant janë çiftet Partizani-Vllaznia, por edhe Teuta-Tirana, apo Flamurtari-Elbasani. Gjithsesi, mbetet për t'u parë edhe lëvizjet e fundit në merkaton shqiptare.