E Shtunë, 31 Tetor 2026

2007, vit shumë i keq për agroindustrinë

 

Shumë industri të rëndësishme kanë pësuar rënie prodhimi. Me rritje qenë vetëm buka dhe mielli

Sektori i agroindustrisë duket se ka përjetuar një nga vitet më të këqija në shumë kohë gjatë vitit të kaluar, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të Ministrisë së Bujqësisë. Sektori i agroindustrisë ka qenë prej shumë vitesh baza e rritjes ekonomike në sektorin e bujqësisë. Disa dhjetëra ndërmarrje u krijuan gjatë viteve 2000 me kredi ndihmë nga qeveria japoneze, si dhe nga investimet private në prodhimin e ujit dhe lëngjeve të frutave, birrës dhe vajit vegjetal, të cilat dhanë si efekt rritje prodhimi dyshifrore nga viti në vit. Por kreditë japoneze të projektit 2KR mbaruan, gjë që solli edhe uljen e investimeve në këtë sektor. Vitin e kaluar, sektori i agroindustrisë pësoi një rritje prej vetëm 3.31% në vlerën e prodhimit, kundrejt rritjes prej 8.51% të realizuar në vitin 2006. Plot 13 ndërmarrje mbyllën aktivitetin gjatë vitit të kaluar, ndërsa 7 ndërmarrje të tjera qenë mbyllur në vitin 2006.

Sipas produkteve

Industria e sallameve dhe proshutave shënoi një rënie të konsiderueshme në prodhim prej 6.9% duke realizuar 9100 tonë produkte. Prodhimi i kompostove të ëmbla ra me tre herë në 306 tonë, ndërsa kompostot e perimeve ranë në 807 tonë nga 1143 që qenë në vitin 2006. Rënia më e fortë në prodhim është regjistruar në industrinë e vajrave. Prodhimi i vajit vegjetal ra në 14 mijë tonë nga 21 mijë që qe në 2006, ndërsa prodhimi i vajit të ullirit ra në 4 mijë tonë nga 9 mijë. Edhe përpunimi i qumështit ra në 59 mijë tonë, ndërsa pati arritur kulmin në vitin 2005 me 72 mijë tonë.

Rritje kanë shënuar industria e konservave të peshkut e cila ka dyfishuar prodhimin në krahasim me vitin 2006, industria e blojës, prodhimi i të cilës është rritur me 10% në 423 mijë tonë si dhe industria e birrës që prodhoi 366 mijë hektolitra.

Agroindustria është parë si rruga e vetme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri, për shkak se ndërmarrjet e përpunimit arrijnë të zhvillojnë struktura për grumbullimin e produkteve te fermerët, gjë që i kthen edhe në hallkë ndërmjetëse mes fermerëve dhe konsumatorëve. Agroindustria zë rreth 25% të prodhimit të sektorit bujqësor. Gjatë vitit të kaluar, ajo realizoi një prodhim prej 4.8 miliardë lekësh, (39.3 milionë euro). Rënia e prodhimit në industrinë e qumështit dhe konservave ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien e fermerëve, ndërsa rënia në industrinë e vajit dhe sallamit duket se nuk i prek fermerët për shkak se këto dy industri punojnë me lëndë të parë të importuar.

Në bujqësinë shqiptare, pjesën më të rëndësishme të prodhimit e zë mishi, vezët, qumështi e djathi. Gjatë vitit të kaluar, prodhimi i mishit u rrit në 158 mijë tonë. Prodhimi i qumështit ra në 1 milionë tonë, rënie që i dedikohet mbingopjes së tregut me këtë produkt. Rritja e prodhimit të mishit jep pasoja te numri i krerëve. Numri i lopëve ra në 396 mijë gjatë vitit të kaluar, një nga shifrat më të ulëta gjatë periudhës së tranzicionit, dukshëm pasojë e mungesës së ushqimit industrial për kafshët. Edhe numri i deleve e i dhive qe në rënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›