E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peleshi: Korça, pa Shtëpi Flamuri për datën 28 Nëntor

Shtëpia e shkatërruar, ku u ngrit flamuri në Korçë

Kryebashkiaku: Ministria, vonë për projektin. Monumentet: E kemi gati.

Shtëpia e Flamurit do t’i mungojë 100-vjetorit të pavarësisë në qytetin e Korçës. Edhe pse kanë kaluar më se dy muaj nga momenti kur ajo u shemb gjatë natës, duket se gjithçka është ende në pikëpyetje.  Numërimi mbrapsht drejt ditëve festive tashmë ka nisur, por pavarësisht kohës së mbetur, duket se nuk ka asnjë hap konkret. Kreu i Bashkisë, Niko Peleshi, nga ana e tij ka shprehur edhe një herë gatishmërinë për ta rindërtuar këtë shtëpi duke i konsideruar si të pajustifikueshme këto vonesa procedurale. “Unë vazhdimisht kam kontaktuar dhe jam interesuar për nisjen e punimeve në mënyrë që deri më 28 Nëntor të ishte rindërtuar Shtëpia e Flamurit, madje e kam ngritur këtë diskutim edhe në mbledhjen e radhës në Këshillin Bashkiak. Deri më tani di vetëm që është dërguar një projekt i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe janë duke u zhvilluar disa procedura. Ne kemi shprehur vullnetin tonë dhe insistojmë që puna të nisë sa më shpejt, por procedurat janë vonesa kryesore. Mund të them se prej momentit kur ne kemi shprehur gatishmërinë për të rindërtuar këtë shtëpi, të gjithë hapat janë hedhur shumë ngadalë. Nuk më duket i justifikueshëm asnjë prej veprimeve që sjell këtë vonesë”, deklaroi Peleshi. Ai thotë se ka kërkuar paralelisht t’i jepet autorizimi për të ndërtuar një grup pune që të kujdeset për anën teknike, financiare, juridike, pasi do kohë dhe fakti që zgjedhja do jetë në përshtatje me pronarët. “Por, deri tani mund të them se ne jemi në një terr informativ, pasi edhe për këtë nuk më është kthyer asnjë përgjigje zyrtare”, thotë Peleshi. Nga ana tjetër mësohet se projekti për Shtëpinë e Flamurit është përfunduar nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës dhe pritet miratimi i tij nga IMK. “Ne prej disa ditësh e kemi përfunduar projektin për Shtëpinë e Flamurit dhe ia kemi dërguar Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili pritet të bëjë miratimin e tij. Projekti sikurse ishte parashikuar është bërë mbi bazën e materialeve të arkivit dhe është shumë i afërt me origjinalen. Pra momentalisht është vetëm çështje firmash. Sa i takon pjesës së rindërtimit ajo i takon bashkisë meqenëse është ofruar e gatshme të kujdeset për gjithçka”, tha Jorida Nemaçka, drejtoreshë e Monumenteve të Kulturës.

Shembja
Shtëpia e Themistokli Gërmenjeit, ku u ngrit flamuri në vitin 1916 për të shpallur Korçën Krahinë Autonome, u shemb papritur ndërsa gdhihej data 16 gusht. Policia nisi hetimet për ngjarjen, por ndonëse u deklarua se shembja mund të ishte e qëllimshme, nuk ka persona përgjegjës për këtë. Një javë më vonë, Ministria e Kulturës bëri të ditur faktin se Shtëpia e Flamurit do të rindërtohet, duke iu përafruar origjinalit.

Vlora e Vjetër, nis restaurimi i rrënojave
VLORE – Nis restaurimi i rrënojave të Vlorës së Vjetër me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë. Rrënojat e Vlorës së Vjetër, që u zbuluan në gërmimet arkeologjike në vitin 1985, përfaqësojnë një pjesë të mureve fortifikuese të Aulonës së antikitetit. Projekti i restaurimit të rrënojave të Vlorës së Vjetër po zbatohet në kuadër të programit “Artgold 2/UNDP”, për zhvillimin rajonal, të implementuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal “Auleda”, në partneritet me Këshillin e Qarkut, Bashkinë Vlorë dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve. “Ky projekt me vlerë rreth 20 mijë USD financohet me fonde të UNDP-së (Programi për Zhvillim i OKB-së), në kuadër të financimit të projekteve prioritare të identifikuara gjatë hartimit të planit strategjik të qarkut të Vlorës”, u shpreh Mirela Koçi, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal. Sipas saj, ndërhyrja parashikon restaurimin e mureve rrethuese, pastrimin e mbetjeve, ndriçimin pedonal, rrethimin me ligustra, vendosjen e tabelave përshkruese mbi historikun e rrënojave, tabelave orientuese për turistët në katër pika kryesore të qytetit të Vlorës, si dhe sistemimin e hapësirave rrethuese të rrënojave.              q.b

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›