Peleshi me ambasadorët e vendeve të “Miqve të Ballkanit Perëndimor”: Bashkëpunimi parlamentar, urë drejt BE-së

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi sot në Kuvend një takim me ambasadorët dhe Grupet e Miqësisë me vendet e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”: Austrinë, Çekinë, Greqinë, Hungarinë, Italinë, Kroacinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.
Peleshi i cilësoi këto vende si partnere të rëndësishme të Shqipërisë dhe mbështetëse të vazhdueshme të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Bashkëpunimi parlamentar është një urë e rëndësishme për marrëdhëniet tona dhe për të mbështetur ritmin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se diplomacia parlamentare përbën një instrument të rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me vendet partnere.
“Kuvendi do të vijojë të jetë kontribues aktiv i këtij procesi, duke e shndërruar diplomacinë parlamentare në një veprimtari të përhershme dialogu dhe bashkëpunimi”, deklaroi Peleshi.
/gj.m/j.p/r.e/