E Diel, 1 Nëntor 2026

Vakancat në Kushtetuese, KED miraton pesë kandidatë

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi kandidaturat për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Pas shqyrtimit të akteve dhe materialeve të përgatitura nga relatorët, KED vendosi të lejojë kandidimin e Alban Toros për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës më 31 tetor 2025.

Këshilli vendosi gjithashtu të lejojë kandidimin e Arta Vorpsit për dy procedura të veçanta, për vendet vakante të shpallura përkatësisht nga Kuvendi më 10 dhjetor 2025 dhe nga Presidenti më 31 tetor 2025.

Edhe Genci Gjonçaj u lejua të vijojë kandidimin për dy vendet vakante të shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi.

Ndërkohë, KED vendosi ndalimin e kandidimit të Brunilda Bares për vendin vakant të shpallur nga Presidenti.

Sipas KED-së, Bare ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se pesë ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Pas këtij vendimi, numri i kandidatëve për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese shkon në pesë. Krahas Toros, Vorpsit dhe Gjonçajt, në garë mbeten edhe Jordan Daci dhe Naureda Llagami.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›