Peligrinazhi, 2 milion besimtarë në Mekë

Rreth dy milionë besimtarë myslimanë nga e gjithë bota kanë mbërritur në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite për kryerjen e peligrinazhit të Haxhit, me rastin e Kurban Bajramit. Myslimanë nga të gjitha mjediset dhe shtresat shoqërore janë mbledhur në atë që pelegrinët e konsiderojnë ritin më të shenjtë të vitit. "Ne po e shijojmë atë, është një ndjesi e mrekullueshme dhe kjo gjë tregon unitetin mes myslimanëve dhe i tregon botës se përse ne jemi këtu. Ne jemi këtu për t'u bërë një komb, një trup i vetëm, një proces i vetëm, për të kryer ritualin e Haxhit", tha Abed Al Gafar Utman, një pelegrin nga Afrika e Jugut. Haxhi, që është një nga shtyllat e Islamit, konsiderohet një detyrim për të gjithë myslimanët të cilët janë të aftë mjaftueshëm nga ana shëndetësore dhe që kanë mundësitë ekonomike për udhëtimin. Disa myslimanë përgatiten për këtë peligrinazh disa vite më parë dhe një numër i madh i tyre e kryejnë atë më shumë se njëherë. "Është një ndjesi shumë e bukur, e mrekullueshme, vecanërisht kur shikon Kaabën dhe uroj që të kthehem sërish këtu me ndihmën e Zotit, dhe të takoj gjithë këta myslimanë", u shpreh Aum Hasan, një pelegrin egjiptian. "Unë kam ardhur këtu sepse ka qënë gjithmonë një ëndërr për mua. Unë erdha këtë herë, por dëshiroj të vij përsëri dhe shpresoj që Zoti të më japë shëndet dhe fat që të vij për herë të dytë, të tretë edhe më shumë", tha Morokan, një pelegrin nga Jemeni. Gjatë së shtunës, pelegrinet drejtohen për në qytetin fqinj të Minës, ku ata qëndrojnë nëpër kampe, përpara ditës së parë zyrtare të Haxhit të dielën, ku ata ngjiten në malin e shenjtë të Arafatit. "Kam shpresë tek Zoti që të gjithë myslimanët të vijnë këtu dhe të kryejnë pelgrinazhin. Unë nuk mund ta përshkruaj dot atë që po ndjej këtu, sinqerisht, betohem në zot që nuk mund ta përshkruaj", deklaroi Murshed Tahan, një resident në Austri.