E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumb Xhufi: Ta nisim nga Berisha

Zëvendëskryetari i LSI-së thotë se nuk janë mbyllur rrugët e bashkëpunimit me PS-në dhe kërkon që palët të jenë luajale me njëra-tjetrën. Për Xhufin është e rëndësishme që të krijohet një frymë pozitive, që pas zgjedhjeve të shikohen format e bashkëpunimit

Pavarësisht përplasjeve në dukje, veçanërisht për idenë e re të koalicionit të përbërë, negociatat PS-LSI nuk janë mbyllur. Pëllumb Xhufi, zëvendëskryetari i LSI-së që ishte në negociatat e zhvilluara me përfaqësuesit e PS-së, sqaron në një intervistë për “Korrierin” se është shprehur vullneti nga të dyja palët që të bashkëpunohet për reformën zgjedhore. Por për momentin bashkëpunimi në zgjedhjet e 2009-ës ende duket i largët. “E thamë edhe në takim, që konvergjenca kryesore sigurisht është heqja e Sali Berishës dhe prej këtej mund të lindin mundësi bashkëpunimi të shumta. Këtu nuk ka rëndësi që të jemi dakord për 100 për qind të çështjeve apo 50 për qind të tyre. Problemi është që të jemi luajalë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një frymë pozitive, në mënyrë që pas zgjedhjeve të mund të shikohen format e bashkëpunimit pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve”, - shprehet kreu i grupit parlamentar të LSI-së. Ai shton se koalicioni i përbërë është hedhur në takimin me PS-së si një projekt-ide, ndërsa tani, mesa duket, është kthyer në qëndrim. Ndonëse e kundërshton koalicionin e përbërë, Xhufi shton se edhe kjo çështje do të ridiskutohet në takimet e radhës, ndërsa shtoi se socialistët shfaqën ndjeshmëri pozitive për idenë e korrektimit që kërkohet nga partitë e vogla.

-Si shkuan negociatat me PS-në dhe cilat ishin pikat ku ndatë qëndrime të ndryshme apo detaje të tjera të takimit?

Pëllumb Xhufi: “Ishte një takim i parë në përgjigje të ftesës sonë të kahershme, ndaj si i tillë rëndësia qëndronte në vendosjen e disa bazave për një dialog të bashkëpunimit të qëndrueshëm mbi problemet që lidhen me reformat, posaçërisht me reformën zgjedhore. Ne kërkuam që, duke qenë se problemi i reformës zgjedhore është një problem që u takon të gjitha partive politike dhe në fund të fundit të gjithë shqiptarëve, që të karakterizohet procesi i reformave nga transparenca dhe gjithëpërfshirja, gjë që nuk kishte ndodhur deri më sot”.

-Më konkretisht, disa kërkesa të LSI-së?

“Në takimin e parë asnjëra palë nuk ishte e përgatitur apo e disponuar për të hyrë në detaje, në problemet e kodit, megjithatë pati disa shkëmbime idesh. Nga ana jonë ne insistuam me forcë që çështje që kanë të bëjnë me administrimin e votës dhe numërimin e votës janë tepër shqetësuese dhe tepër vendimtare për krejt procesin zgjedhor, dhe për to duhet marrë një vendim i përbashkët i forcave që do të jenë në koalicionin antiqeveritar, opozitar. E njëjta gjë vlen edhe për çështjet që kanë të bëjnë me përafrimin e modelit proporcional rajonal, frymën e proporcionalit. Pra, në kuptimin e korrektimit të mundshëm që mund t’i bëhet modelit, i cili në të vërtetë u përzgjodh nga PS-ja dhe që u fiksua për më tepër edhe në Kushtetutë. Megjithatë, ne mendojmë se gjithçka mund të korrektohet për të respektuar frymën dhe natyrën e proporcionalit dhe për të vendosur një drejtësi pastaj”.

-Korrektim kombëtar, për atë bëhet fjalë, apo jo?

 “Nëse bëhet fjalë për korrektim kombëtar apo rajonal nuk i hyj në thellësi, këtu është problemi. Edhe nga ana e tyre pata përshtypjen se pati një ndjeshmëri për të bërë një lloj korrektimi, ku gjithsesi kjo do të vendoset në takimet eventuale”.

-Po lidhur me mënyrën e lidhjes së aleancave dhe koalicioneve?

“Për fat të keq ato që u thanë dje dhe pardje në media nuk u trajtuan në atë formë gjatë bisedimeve. Pra, nuk u hy në detaje, në hollësi. Nga kolegët tanë u hodh ideja e daljes me koalicion, që sigurisht nuk mundet të përjashtoj që mund të ketë edhe forca politike që do të dalin më vete. Sigurisht që koalicioni është një zgjidhje e bazuar mbi baza politike, programore, ideologjike, por edhe në baza pragmatike. Kurse detajet që u dhanë pastaj lidhur me koalicionin e përbërë, sigurisht përveç nonsensit që ka vetë terminologjia, sepse koalicionet janë të përbërë dhe sigurisht që nuk përbëhen nga një parti. Mënyrën si u shpjegua dhe u detajua në media natyrisht s’është i pranueshëm për ne. Megjithatë, këto janë gjëra të cilat kolegët tanë na i shprehën si projekt-ide gjatë takimit dhe ne i trajtuam si të tilla, prandaj nuk hyjmë në debate mediatike për detaje, të cilat për më tepër u shpjeguan nga kolegët socialistë jo në takim, por pas takimit. Gjithsesi, ne do të bisedojmë në takimet eventuale të ardhshme lidhur me përmbajtjen e këtyre që na u thanë. Janë projekt-ide, por mesa duket tani janë kthyer në qëndrime dhe nuk mund të jenë më të tillë, pra projekt-ide”.

-Ju thatë se do të keni takime të tjera. Si duket fryma, a është më e afërt mundësia e bashkëpunimit në 2009-ën?

“Ne kështu e lamë. Sigurisht që duhet bashkëpunimi për reformën zgjedhore. Ne jemi të disponueshëm, duke respektuar principet, duke respektuar individualitetin e çdo force politike dhe duke parë konvergjencat. Dhe e thamë edhe në takim, se konvergjenca kryesore është heqja e Sali Berishës, dhe prej këtej mund të lindin mundësi bashkëpunimi të shumta. Varet sesi do t’i shfrytëzojmë këto mundësi bashkëpunimi. Dhe kjo ka rëndësi të madhe nëse dialogu natyrisht do të vazhdojë. Këtu nuk ka rëndësi që të jemi dakord për 100 për qind të çështjeve apo 50 për qind të çështjeve. Problemi është që të jemi luajalë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një frymë pozitiv,e në mënyrë që pas zgjedhjeve të mund të shikohen format e bashkëpunimit pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve”.

Rritja më e ulët e pensioneve

Partia Socialiste akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e drejtuar prej tij, se po vazhdon të gënjejë shqiptarët. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tha dje se rritja e pensioneve e trumbetuar nga shefi i mazhorancës nuk është e mjaftueshme. “Rritja prej 35 për qindësh në të tre vitet bashkë është vetëm për pensionistët në qytet që marrin pension minimal, sepse për 37 mijë pensionistë të tjerë në qytet që marrin pensione të pjesshëm, të ardhurat mujore nuk kalojnë akoma 10 mijë lekë në muaj”, - deklaroi Beqja. Sipas tij, qeveria e djathtë nuk e llogariti dhe nuk e shpalli kurrë minimumin jetik, ndërsa socialistët do ta bëjnë këtë që në fillim të mandatit të ardhshëm qeverisës. Për PS-në, rritja e pensionit për 100 mijë pensionistë në qytet me 6.7 për qind në vit është rritja më e ulët e pensioneve në 17 vjetët e fundit, pasi inflacioni i pensionistëve që prej muajit mars 2008 është rreth 6 për qind. Sipas nënsekretarit për programin në PS, që foli në emër të PS-së, gjendja e pensionistëve në fshat mbetet skandaloze.

Meta, “kamerdare shpëtimi” për Berishën

Partia Socialiste u ktheu përgjigje dje akuzave të LSI-së, përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli. “Ne urojmë që rruga e vjetër e vitit 2005 të mos jetë rruga që Ilir Meta ka zgjedhur për vitin 2009, sepse atë rrugë e uron vetëm Sali Berisha, për të cilin Ilir Meta i sotëm ngjan e vetmja “kamerdare shpëtimi”. Por edhe sepse në atë rrugë Ilir Meta kësaj radhe do të humbasë bashkë me Sali Berishën”, - tha ajo. Sipas zëdhënëses së kryesisë së PS-së, prej muajsh socialistët vazhdojnë të bëjnë detyrën tonë si opozitë, duke ngritur zërin për problemet e shqiptarëve, ndërsa kreu i LSI-së ngre vetëm akuza ndaj PS-së dhe Bashkisë së Tiranës. “U bënë muaj që, ndërkohë që ne vazhdojmë të tregojmë me gisht plagët e keqqeverisjes së Sali Berishës, Ilir Meta ngre gishtin me mllef kundër Partisë Socialiste dhe bashkisë së kryeqytetit. U bënë muaj që, ndërkohë që ne vazhdojmë të ndërtojmë një dialog me qytetarët e këtij vendi, programin e ri qeverisës për Shqipërinë, Ilir Meta hedh në erë urat e komunikimit normal dhe të bashkëpunimit të natyrshëm me Partinë Socialiste”, - deklaroi ajo. Kodheli shtoi se kryetari i LSI-së i është rikthyer politikës së vjetër të sherreve, ndasive e shpifjeve, ndërsa socialistët punojnë për të bashkuar gjithë shqiptarët tek politika e re.

“Jo” koalicionit të përbërë

LSI-ja kundërshtoi sërish dje idenë e përkrahur nga PS-ja e PSD-ja për të bashkëpunuar në formën e koalicionit të përbërë. Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, tha dje, se lidershipi i PS-së akoma nuk ka ndjeshmërinë e duhur për të kontribuar në frontin opozitar për të rrëzuar Berishën dhe për të rikthyer të majtën në pushtet. “Lidershipi i PS-së vazhdon të sajojë marifete dhe forma që nuk synojnë bashkimin e programeve dhe vlerave të aleatëve të saj, por synon t’i vërë ata nën kontroll, nën frymën e ndryshimeve kushtetuese që ndodhën në 21 prill, ndryshime që çimentuan në pushtet Sali Berishën. Koalicionet duhet të ngrihen mbi vlerat, principet, vizionet dhe programet e përbashkëta dhe jo të jenë koalicione bishtash dhe marifetesh të presjeve dhjetore”, - deklaroi ai. Po përmes nënkryetarit të saj, Sokol Axhemit, LSI-ja deklaroi dje se vetëm largimi i Berishës mund të çlirojë zhvillimin e ekonomisë shqiptare të kapur nga korrupsioni dhe krimi ekonomik. Ai shtoi se, pavarësisht shiritave që kryeministri vazhdon të presë disa herë për të njëjtin investim, infrastruktura vazhdon të jetë e rënduar. Axhemi ngriti zërin edhe për mungesën e ujit të pijshëm dhe për problemet mjedisore.

Zgjedhjet në PD fillojnë në vjeshtë

Partia Demokratike do të fillojë që në vjeshtë zgjedhjet brenda radhëve të saj. Lajmi i nisjes së procesit të riorganizimit bëhet i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Sipas tij, ky proces riorganizimi brenda partisë më të madhe në pushtet është i domosdoshëm për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. “PD-ja do të nisë bashkë me sesionin e ri parlamentar edhe lëvizjen e saj organizative, që është një proces i cili do të fillojë në shtator dhe nuk do të ndalet deri në kongresin e ardhshëm”, - deklaroi Astrit Patozi. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, vetëm pas pak javësh demokratët do të kryejnë procesin e riorganizimit. Por procesi aktual nuk përfshin edhe votimin për kryetarin e partisë, Sali Berishës, sipas parimit “Një anëtar, një votë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›