E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i narkotikëve shpërblehen dy informatorët

“Burimet” përfituan 80 dhe 20 mijë lekë nga “buxheti sekret”

Operacionet e fundit antidrogë, njëri i koduar “Hëna e Plotë”, që çoi në pranga katër persona të dyshuar si posedues të 7.2 kg kanabis sativa, e tjetri pa emër me një autor dhe rreth 0,8 kg lëndë narkotike të sekuestruar u finalizuan falë të dhënave të sigurta që informatorët u dhanë uniformave blu. E, menjëherë pas informacioneve “burimet” efikase do të përfitojnë shpërblim 80 dhe 20 mijë lekë nga “buxheti sekret” i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, i akorduar për shpërblimin e tyre. Këto janë dy nga dhjetëra raste kur informatorë brenda rrjeteve të trafikut të lëndëve narkotike, apo dhe jashtë tyre, qëllojnë në shenjë me të dhëna të sigurta duke “ngrohur” njëkohësisht edhe xhepin e tyre. Pas miratimit të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dt. 4.6. 2007 dhe udhëzimit të ministrit të Brendshëm bazuar në këtë ligj u vendosën tarifat e shpërblimit për informatorët. Nëpërmjet këtij akti nënligjor të rifreskuar secili prej informatorëve përfiton shpërblim në bazë të informacionit të dhënë, i cili shkon nga 10 mijë lekë deri në 100 mijë euro. Policia i quan informatorët tejet të domosdoshëm dhe është korrekte në shpërblimin e tyre, ndërsa këta të fundit përveçse ndërgjegjes së pastër qytetare ndihmojnë jo pak financat personale e familjare me pagesën që marrin.

Operacionet

Vetëm në këto dy muaj sektori i antidrogës ka kryer dhjetëra operacione dhe ka vënë në pranga si të dyshuar më shumë se 36 autorë. Pjesa më e madhe e tyre ka për protagonistë informatorët të cilët kanë dhënë informacionin e rëndësishëm për aktivitetin e trafikantëve. Dy rastet e fundit janë më pikantët ku vërtetohet roli i informacionit. Arrestimi i 31-vjeçarit S. Goduni tri ditë më parë në afërsi të ish-shkollës teknologjike ishte rrjedhojë e informacionit të marrë nga “burimi”, i cili do të shpërblehet me 20 mijë lekë. I riu ka dalë nga shtëpia me sasinë e kanabisit dhe agjentët antidrogë e kanë lënë të qetë të ecë me makinën e tij për të pasur mundësinë e evidentimit të bashkëpunëtorëve të mundshëm, por kur kanë parë se ai mund të futej në rrugë dytësore e ndaluan për të ushtruar ritualin e zakonshëm të kontrollit që ka rezultuar fatal me arrestimin e tij në flagrancë dhe sekuestrimin e rreth 0,8 kg lëndë narkotike. Policia kishte kohë që zotëronte informacion se 31-vjeçari ushtronte aktivitetin kriminal, por tashmë ishte rasti për t’ia dokumentuar atë. Pasi kuçën në pranga një shpërndarës, agjentët e policisë prisnin sinjalin për një tjetër operacion në Bathore. Informatori kishte sinjalizuar herë pas here uniformat blu për lëvizjet e vëllezërve Besmir dhe Ervis Koleci dhe dy shokëve të tyre, por atyre iu deshën plot dy muaj për ta finalizuar aksionin. Këto informacione i kanë shërbyer atij për të përfituar plot 80 mijë lekë. Madje është dashur edhe aktivizimi i një grupi vëzhgimi, pasi adoleshentët ishin të kujdesshëm në lëvizjet e tyre duke e ndier rrezikun e prangave. Operacioni i 25 shkurtit me hënë të plotë, nga ku mori edhe emrin aksioni policor ka mjaftuar për të ndaluar në afërsi të vendit të quajtur Ura e Babrrusë me 0.884 kg kanabis sativa. Pas kontrollit të banesës së tyre u kapën edhe 6.177 kg lëndë narkotike, duke e çuar në total 7.227 kg sasinë e sekuestruar.

Rrjeti i informatorëve

Specialistë të policisë thonë se pa informatorët puna do të ishte e vështirë, ndërsa i mëshojnë faktit se pas marrjes së informacionit nis kalvari i gjatë i dokumentimit të veprës penale, një etapë kjo tejet e vështirë për agjentët policorë. Sipas tyre, në më shumë se 80 për qind të rasteve informatorët japin të dhëna për aktivitetin kriminal, por jo gjithnjë strukturat policore bëjnë “bingo” në dokumentim, pasi trafikantët tregohen të kujdesshëm e madje të rafinuar, duke i fshehur provat e aktivitetit të tyre kriminal. Prej kohësh uniformat blu kanë nisur punën për krijimin e rrjetit të informatorëve dhe frytet e punës po i ndiejnë tani. Në të gjithë hapësirën e kryeqytetit krijimi i “burimeve” i ngjan “rrjetës së merimangës” ku mbeten shpesh trafikantët. Tërheqja në bashkëpunim bazohet në vullnetin e personave, por nuk mungojnë edhe rastet kur të penduarit apo dhe persona me precedentë, të cilëve u është prerë hapësira e veprimit me dokumentimin e aktivitetit kriminal, nga aktivë në shkeljen e ligjit shndërrohen në informatorë korrektë dhe ndihmojnë në shkatërrimin e rrjeteve të trafikut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›