Ndryshon mënyra e financimit të universiteteve
Ministria e Arsimit ka vendosur që të ndryshojë mënyrën e financimit të universiteteve publike në vend. Një grup pune me specialistë të fushës është duke punuar aktualisht pranë kësaj ministrie për hartimin e një pakete rregullash mbi mënyrën e re të financimit të universiteteve publike në vendin tonë. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, parim bazë mbi mënyrën e re të financimit do të jetë konkurrenca apo rivaliteti mes këtyre institucioneve, në mënyrë që fondet më të mëdha t’i marrë më i miri. Po kështu, specialistët e MASH-it bëjnë të ditur se shpërndarja e këtyre fondeve do të mbështetet edhe mbi një kriter tjetër, atë të mirëmenaxhimit dhe shkallës së realizimit të investimeve të planifikuara nga çdo institucion i arsimit të lartë. Në funksion të financimit të universiteteve pritet që të vihet edhe listimi i tyre pas përfundimit të procesit të akreditimit të universiteteve. Ai do të mundësojë vlerësimin cilësor të secilit prej tyre, duke formatuar edhe një listë ku do të renditen, sipas cilësisë nga më i miri tek më i dobëti universitet.
Aktualisht, drejtuesit e universiteteve publike në vendin tonë, përveç fondeve vjetore që marrin nga buxheti i shtetit, lejohen që të menaxhojnë vetë paratë që grumbullojnë si institucione nga pagesat e studentëve, apo të ardhura të tjera. Kjo në përputhje me autonominë universitare që garantohet edhe nga ligji për arsimin e lartë. Ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Arsimit pohojnë se pas miratimit të ndryshimeve të fundit, drejtuesit e këtyre universiteteve do të duhet që të konkurrojnë me projekte në mënyrë që të përfitojnë financimet e dëshiruara.
çështja e përdorimit të fondeve ka qenë edhe një nga diskutimet më të forta mes drejtuesve të universiteteve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit. Por kritika të herëpashershme kanë ardhur edhe nga shefi i ekzekutivit, sidomos për çështjen e realizimit të investimeve. Vetëm pak kohë më parë, Kryeministri Berisha duke deklaruar financimet e vëna në dispozicion të universiteteve shqiptare nga buxheti i shtetit tha: “Tre vjet më parë, katërfishuam investimet për universitetet, por realizimi i tyre ishte zero. Zhvillimi i kapaciteteve menaxheriale, në një kohë kur po punojmë për një sistem të ri financimi, është vendimtar për Shqipërinë. Nuk është se universitetet do të jenë të pasur, por rëndësi jetike ka që fondet t’i përdorni në mënyrën më racionale, më eficiente”. Berisha kujtoi se është detyrë e rektorëve dhe dekanëve të punojnë për krijimin e njësive menaxheriale apo përmirësimin e fuqisë menaxheriale të tyre. “Përndryshe, ju drejtua Kryeministri rektorëve, jo vetëm financat që mblidhni vetë, por edhe ato që ju japim ne, do të mbeten të paekzekutuara”.
çështja e financimit të universiteteve u vendos në rend të ditës edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave ku u diskutua edhe për raportin jo të drejtë student-pedagog dhe nevojën për punësimin e sa më shumë profesorëve dhe shkencëtarëve të rinj të talentuar.
#