E Martë, 3 Nëntor 2026

Deklarata kërcënuese e Ministrit serb, Kovaçevski: Serbia na konsideron miq, Vuciq do kërkojë falje personalisht

Pas deklaratës kërcënuese të Ministrit serb, Millosh Vuçeviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka reaguar duke sqaruar edhe qëndrimin e Beogradit zyrtar.

Në Facebook, Kovaçevski ka publikuar një foto me Presidentin Aleksandar Vuçiq pas takimit të zhvilluar mes tyre në darkën jo zyrtare të zhvilluar në Athinë. Ai shkruan se Vuçiq i siguroi se Serbia i konsideron popullin maqedonas dhe shtetin si miqësorë, teksa shton se ai do të kërkojë personalisht falje për deklaratën e Ministrit.

“Sonte kemi biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Athinë. Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas i konsideron jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas ofendohet nga ndonjë mesazh nga shteti serb, ai personalisht do të kërkojë falje”, shkruan Kovaçevski.

Vuçeviq publikoi një deklaratë me shantazhe dhe kërcënime ndaj 2 vendeve anëtare të NATO-s, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që është kritikuar ashpër nga nivelet më të larta politike të këtyre dy vendeve.

Lidhur me deklaratat e ministrit serb është shprehur edhe kryeministri, Edi Rama, i cili i cilësoi ato “të rrezikshme dhe të papranueshme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›