E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Pirati’ Shaqiri sfidon Bayernin

Basel është përgatitur në mënyrë të pazakonshme, në stilin e ‘piratëve’ për përballjen e së mërkurës kundër Bayern Munchenit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Xherdan Shaqiri thotë se kundër bavarezëve do t’i hapin të dy sytë, derisa në këtë takim favorizon ekipin e tij të ardhshëm.

Befasia e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, Basel - ku aktivizohen edhe dyshja kosovare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka - është përgatitur në mënyrë të veçantë për përballjen e së mërkurës kundër Bayern Munchenit.

Me metoda të pazakonta të stërvitjes, trajneri i Baselit, Heiko Vogel, ka përgatitur futbollistët e tij për përballjen në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve kundër gjigantit bavarez.

Nuk bëhet fjalë për maskenball, por për një stërvitje serioze e që përfshin mbylljen e njërit sy në stilin e ‘Piratëve’.

“Kjo është një metodë me të cilën përmirësojmë koordinimin. Ishte interesante, por një stërvitje në këtë mënyrë nuk është aspak e lehtë”, tha për Bild Shaqiri, i cili nga sezoni i ri do të bëhet pjesë e bavarezëve.

Megjithatë, në përballjen me ekipin e tij të ardhshëm, talenti me prejardhje nga Gjilani dhe bashkëlojtarët nga ekipi zviceran nuk do të hyjnë në fushë të maskuar si ‘piratë’. “Jo, jo, kundër Byrnit na duhen të dy sytë. Për më tepër do të na nevojiteshin të kemi edhe një të tretë”, ka theksuar Shaqiri.

Edhe pse luajnë në shtëpi, reprezentuesi zviceran favorizon Bayernin. “Bayerni është favorit, vjen në Basel për fitore. Jam i sigurt se ata do të luajnë ndryshe nga takimi i fundjavës me Freiburgun”, ka përfunduar Shaqiri për të cilin Bayerni vazhdon të jetë skuadra më e mirë gjermane.

Në takimin tjetër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve do të përballen Olimpique Marseille dhe Inter, që po përjeton një krizë të rezultateve në Serie A.

1/8 e finales:

Basel – Bayern M 20:45

Marseille – Inter 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›