E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penelata e re dhe artistët e urisë

Aldo Bumçi

Elsa Demo

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, u shfaq dje në shoqërinë e disa të rinjve përballë një grupi tjetër të rinjsh. Ministri tha: Në funksion të politikave institucionale për vitin 2012, në përkujdesjen, mbështetjen dhe integrimin e talenteve të reja në institucionet kulturore-artistike qendrore, kam kënaqësinë të shpall një nga prioritetet që MTKRS ka ndjekur në vite, atë të krijimit të fondit për artistët e rinj.

Një vajzë e re në krah të ministrit tha se ishte aty për të treguar dëshminë e saj për përkrahjen që ka gjetur nga Ministria. Është e natyrshme që me këto para që jep ministria nuk jetohet, tha ajo, por pjesën tjetër duhet ta ngremë vetë. Një tjetër artiste e re në moshë, u shpreh për shenjtërinë e institucionit që po i jepte tani mundësinë të dëshmonte provën e saj.

Ministrit u pyet nga gazetarët: a është e vërtetë që këtë të rinj të arteve skenike dhe arteve pamore, nuk kanë ndonjë garanci me kontratat që nënshkruajnë? Që ato para me zor i marrin? Ministri i përgënjeshtroi këto zëra. I përgënjeshtroi edhe heshtja e të rinjve.

Ministri u pyet a është i kënaqur ai nga institucionet kombëtare të kulturës? E kryejnë ato në ndonjë ditë të vitit këtë punë që Ministria mendon se e përmbushë një herë në vit me të rinjtë? Përse institucionet nuk i bëjnë të konkurrueshme organikat e tyre me rrogëtarë duke u dhënë mundësi më shumë se një herë në vit këtyre të rinjve?

Iiii, ça pyetjesh, kot fare. Edhe Ministrit kot i duken. Ndërsa këshilltarit të tij politik që rri në përgjim me duart kryq, pyetjet i duken politike. Ne nuk e kishim këtu fjalën, thotë ministri.

Në fakt ministri e kishte fjalë aty që… ndryshe nga vitet e kaluara në TKOBAP, do të atashohen të rinj në variabilitetet (vokale, koreografike, instrumentore), të cilët pas studimeve të tyre profesionale do të bëhen pjesë e trupave artistike. Pranë TK, mendojmë se këtë vit hapësira e skenave do të jetë më shumë në dispozicion të tyre. Debutimet dhe krijimet e artistëve do të shfaqen në sallat më të rëndësishme të teatrove vendorë dhe publike në vend, duke u ofruar më shumë alternativave për përshtatjen e dimensionit artistik të veprave. Konkurrimi i veprave do të jetë i hapur për të gjitha format e teatrit si ai klasik, dramaturgji kombëtare, e huaj, komedi, tragjedi dhe teatër alternativ. Gjithashtu diversiteti i veprave dhe autorëve të ndryshëm do të bëjë te mundur shpërfaqjen e stileve të ndryshme teatrore dhe gjuhës skenike, duke pasuruar së shumti vizionin mbi format e reja teatrore të cilat janë pak të provuara në vendin tonë… fjalë që nuk i përgjigjen realitetit ku jeton qytetari Aldo Bumçi.

Asnjë nga të rinjtë nuk flet, as mirë, as keq. Pse për ta flasin? Sa për ata të rinjtë e tjerë ata dëgjuan nga ministri Bumçi lajmin dje se Fondit Publik për artistët e rinj për vitin 2012, gjithsej 14 milionë lekë, ndahet edhe në dy çika plus. Organizohet për herë të parë Konkursi Kombëtar i Fotografisë, me titull Emocion përmes fotografisë. Ndërsa për artistët e rinj piktorë organizohet konkursi Penelata e re. Pyetja se për cilën grupmoshë artisti e kishte fjalën ministri, atij nuk iu bë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›