E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengesë në përmbushjen e sfidave të Raportit të Progresit

Vonesat në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të lira i kanë kushtuar Kosovës ngecje të theksuara në përmbushjen e sfidave, në kuadër të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, thotë se koha e humbur gjatë muajve të parë të vitit do të reflektojë në përmbushjen e shumë sfidave të Raportit të Progresit, duke parashikuar se disa nga këto sfida do të mbeten për t`u përmbushur edhe vitin vijues.
 

“Duhet të pranojmë që Kosova këtë vit ka pasur pak kohë për të adresuar sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Megjithatë, që nga prilli e këndej ne kemi adresuar në mënyrë intensive dhe dinamike sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Tashmë në Kuvend kemi proceduar 54 ligje, shumica prej të cilëve ndërlidhen drejtpërdrejtë me sfidat që janë identifikuar në Raportin e Progresit. Unë besoj që progresi i shënuar do të identifikohet, por shumë sfida do të mbeten për t`u adresuar edhe në vitin e ardhshëm”, deklaron Çitaku.
 

Ndërkohë, edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, deputet i LDK-së, thotë se humbja e tre muajve të punës së institucioneve për shkak të zgjedhjeve, është reflektuar dukshëm në përmbushjen e sfidave nga Raporti i Progresit.
Përveç miratimit të ligjeve dhe harmonizimit të tyre me standardet evropiane, një sfidë më vete për Kosovën mbetet zbatimi i tyre.
Ministrja Çitaku thotë se ligjet arrijnë efektin vetëm nëse zbatohen. Por, ajo i jep përparësi rivendosjes së marrëveshjes `stand-by` me FMN-në, para zbatimit të ndonjë ligji të caktuar.
 

Në disa raste, FMN ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po miraton ligje të cilat nuk mund t`i mbulojë në kuptimin financiar.
Çështja e sundimit të ligjit, që ndërlidhet drejtpërdrejtë më zbatimin, mbetet një nga sfidat kryesore, thotë në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri. Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Pier Mirel kishte deklaruar se sivjet Kosova ka shënuar pak përparime, duke paralajmëruar një Raport të Progresit me më shumë sfida, i cili do të lëshohet më 12 tetor.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›