E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengje pleqsh

meroNga Mero Baze

Sali Berisha dhe Jozefina Topalli vazhdojnë të reagojnë njëri pas tjetrit. Më saktë Topalli mezi pret të shfaqet Berisha në Facebook, që ta ndjekë dhe ajo. Si dy më pleqtë e Partisë Demokratike, ata po përjetojnë orgazmën e fundit të pushtetit dhe po përpiqen të marrin veten me idenë se kanë filluar të bëjnë opozitë duke qenë ende në zyrat e shtetit. Nuk ja vlen të merremi me broçkullat e tyre, pasi mjafton të analizosh injorancën e teksteve të tyre, për të kuptuar se kush ka ikur nga pushteti.

Ajo që më ngacmoi në diarenë e tyre të përditshme është fiksimi i tyre me Piramidën në qendër të Tiranës. Dy vjet më parë ata bënë një betejë publike dhe shtetërore kundër saj. Pasi kishin dështuar të nxirrnin prej andej medien më të madhe në vend, e cila nuk ishte nën kontrollin e tyre, të dy pleqtë e PD-së shpikën dhe arsyen dhe shkakun pse do ta prishin Piramidën. Arsyeja ishte fakti i shpikur nga Berisha që ajo ishte nisur për Mauzole të Enver Hoxhës. Shkaku i prishjes së menjëhershme ju la Topallit dhe ajo bëri një maket të parlamentit të ri që do të bëhej në vend të Piramidës. Mblodhi gjithë nxënësit e shkollave nga gjithë Shqipëria vizatuan maketet e saj, dhe pastaj bën dhe konkursin ndërkombëtar. Një austriak bythëmadh u solli ca arkitektë dhe dizenjuan parlamentin e 100 vjetorit. Ekzaltimi me të cilin dy pleqtë e PD-së flisnin për prishjen e “Piramidës hoxhiste” dhe ngritjen e parlamentit të 100 vjetorit ishin në atë shkallë sa të gjithë filluam ti besonim çmendurisë që kishin ndërmend të bënin.

Pati një lëvizje qytetare që kundërshtoi prishjen e Piramidës si një kujtesë e kryeqytetit. Pati zëra të arsyeshëm që ngulën këmbë që Piramida të kthehej në Muze të Krimeve të Komunizmit për të ndihmuar memorien historike të shqiptarëve për regjimin që kaloi. Por, dyshja e pleqve Berisha- Topalli, nuk u dorëzuan. Donin ta prishin si hoxhiste dhe të linin aty shenjën e tyre, që ishte menduar si historike.

Në fakt nuk u bë as njëra, as tjetra. Berisha kishte shpenzuar me disa kompani të tij rreth 6 milion euro ta kthente Piramidën në teatër dhe kishte përfunduar me plaçkitje, për të cilat duhet të merret prokuroria. Projekti i parlamentit të 100 vjetorit ishte një flluskë sapuni për të justifikuar nxjerrjen me dhunë të Top Channel-it nga zyrat dhe mbulimin e skandalit për prishjen e Piramidës. E vetmja shenjë që dyshja Berisha- Topalli lanë tek Piramida, janë plaçkitja e saj, heqja e mermerëve, shkatërrimi i mjediseve të brendshme, kthimi i saj në një karabina betoni dhe në fund përpjekja për të shembur, që të mbulonin abuzimet e familjarëve të tyre.

Nëse vë re reagimet e tyre rreth propozimeve të urbanistëve të huaj, ata janë të shqetësuar përse ata duan të ringjallin Piramidën që ata kanë shkatërruar nga brenda dhe jashtë. Është një arsye e thjeshtë, sa psikologjike, aq dhe ligjore. Vendimi i qeverisë për të rikonstruktuar Piramidën e shkatërruar nga dyshja Berisha- Topalli do të nxjerrë në dritë abuzimet financiare dhe dëmin ekonomik që i kanë shkaktuar shtetit njerëzit e tyre dhe mundësinë që të vihen para ligjit. Por, mbi të gjitha ringjallja e godinës simbol të epokës së komunizmit në Tiranë, u kujton atyre dështimin dhe në betejën e tyre me një nga mediet më të fuqishme në vend, që nuk ja dolën dot ta zbonin andej deri në minutën e fundit.

Ringjallja e asaj godine u kujton dyshes së pleqve të PD-së, se sa të pavërtetë, sa injorantë, sa hajdutë, sa hipokritë me të djathtën dhe sa të pandjeshëm ndaj kujtesës historike të këtij qyteti janë ata. Ata nuk kishin asgjë me Piramidën sikur aty të mos ishte Top Channeli. Sali Berisha ka në koleksionin e tij dhjetra foto të përlotura duke vizatuar Muzeun e Enver Hoxhës, dhe deri në vitin 2009 jo vetëm që nuk ka qenë për prishjen e tij, por ka tentuar rinovimin e Piramidës, duke na harxhuar dhe 6 milion euro. Problem i tij ishte kur nuk arriti të mposhte medien që kishte halë në sy dhe ju duk se e vetmja mënyrë ishte ta zhdukte fizikisht ndërtesën që i binte para syve të tij. Përpjekja e tij për të prishur Piramidën, ka qenë atavizma e fundit komuniste në këtë vend, pasi bëhej në emër të dy gjërave që komunistët kanë bërë gjithë krimet në emër të zhdukjes së kundërshtarit dhe në emër të zhdukjes së kujtesës. Çifti i pleqve të PD-së, i kishte parasysh të dyja këto arsye kur u përpoqën ta prishin. Tragji-komedia është se mbetën gjallë dhe ata dhe Piramida dhe njerëzit po tallen vetëm me shenjën që deshën të lënë Ata.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›