Kryeparlamentaret
Deputetja e LDK’së, Nekibe Kelmendi dhe kolegia e saj nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu do të udhëheqin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, që është caktuar të mbahet më 24 shkurt.
Me rregullore të Kuvendit kërkohet që derisa të zgjidhet kryetari i Kuvendit, seanca të drejtohet nga parlamentari më i moshuar dhe më i ri.
Zyrtarja e LDK’së është deputetja më e moshuar në legjislaturën e re, ndërkaq ajo e Vetëvendosjes është deputetja më e re.
Edhe pse këto dy deputete dallojnë njëra me tjetrën për nga vjetët që i kanë, Kelmendi dhe Haxhiu i bashkon diçka tjetër.
Të dy politikanet janë të lindura më 5 maj – Nekibja në vitin 1944, e Albulena në vitin 1987. Në zgjedhjet e fundit ish-ministrja e LDK’së ka fituar mbi 14 mijë vota, kurse Albulena e Vetëvendosjes hyn në Kuvend për shkak të kuotës gjinore. Ajo ka marrë vetëm 3 mijë e 172 vota.
Për dallim prej karrierës politike, Nekibe Kelmendi është deputete që nga paslufta, ndërkaq, Albulena Haxhiu është e re edhe në politikë. Ajo ka diplomuar në Fakultetin Juridik, ndërsa vazhdon studimet e magjistraturës në drejtimin financiar në Universitetin e Prishtinës.
Ndryshe, Nekibe Kelmendi dhe Albulena Haxhiu do të udhëheqin seancën e parë të Kuvendit, ku do të bëhet zgjedhja e kryetarit dhe e pesë nënkryetarëve të parlamentit.
Mandatin e kaluar, seancën e parë e patën udhëhequr Akademik Mark Krasniqi i PSHDK’së dhe deputetja e AKR’së, Njomza Emini.
Megjithëkëtë, Nekibe Kelmendi në ditën e konstituimit të Kuvendit do të kërkojë nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve dhe pastaj bëhet betimi i deputetëve.
Në këtë legjislaturë, PDK’ja do të ketë dy anëtarë në udhëheqjen e Kuvendit, LDK’ja dhe Vetëvendosja nga një dhe dy nga minoritetet.
AKR’ja dhe AAK’ja nuk do të kenë përfaqësues në udhëheqjen e Kuvendit.
Po ashtu, sipas ligjit, deklaratën e betimit duhet ta lexojë kryesuesi i mbledhjes, ndërsa deputetët në fund të deklaratës vetëm shqiptojnë fjalën “Betohem”.
E kontaktuar nga Expressi, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk do t’i kushtojë shumë rëndësi seancës së parë të Kuvendit, ku do t’i asistojë në zgjedhjen e udhëheqjes së Parlamentit.
“Nuk do te jetë ndonjë procedurë, së cilës duhet t’i kushtohet shumë rëndësi, pasi që unë vetëm do të asistoj deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”.
Kjo zyrtare e Vetëvendosjes e di se do të jetë përkrah Nekibe Kelmendit më 24 shkurt, ditën kur është caktuar seanca e parë konstituive e parlamentit.
“Me sa kam informata, Nekibe Kelmendi është deputetja me e vjetër në moshë që do t’i udhëheqë punimet e mbledhjes konstituive deri ne zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve”.
Anëtarja me e re e legjislaturës ka treguar edhe vizionin e saj prej deputeteje.
“Lëvizja Vetëvendosje është lëvizje e brezave të rinj, të cilët e kanë ngritur zërin edhe në jehonën e demonstratave tona. Kështu që pjesëmarrja në Kuvendin e Kosovës do te jetë vetëm një mjet shtesë nëpërmjet së cilës do të vazhdojmë të ngrehim zërin për interesin e popullit tonë”, ka thënë ajo.