E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet Dokumente shtesë për aplikusesit e rinj

Autori i Lajmit: Redaksia

Përfituesit e rinj për pension duhet të dorëzojnë një kërkesë paraprake dhe dokumente të reja, që nevojiten për llojet e ndryshme të pensioneve. Për tiu ardhur në ndihmë të gjithë të interesuarve që kanë paqartësi lidhur me procedurën dhe dokumentet po botojmë mënyrën e aplikimit per secilin nga llojet e pensionit që mund të përfitojnë qytetarët. Kështu personi i interesuar, një vit para se ti lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë një kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake paraqitet për herë të parë te inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi, ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.
Dokumentet për pension familjar
Për pension familjar duhet të dorëzohet një certifikatë e gjendjes familjare. Certifikatë vdekjeje e të siguruarit (ku të jetë shënuar shkaku i vdekjes) si te pensionet e invaliditetit. Koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë. Vërtetim i pagës së personit që ka vdekur (kur i ndjeri kishte apo i takonte pension pleqërie ose kur i ndjeri kishte apo i takonte pension invaliditeti). Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për tu punësuar ose vetëpunësuar. Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune. Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një ie ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit. Procesverbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendim i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale. Vërtetim i organeve të pushtetit lokal, që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen ti mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur jo më pak se një vit para vdekjes. Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar). Jetimi që ka moshën ligjore për tu punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës. Së fundmi duhet edhe një vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti Nr. 758, datë 1.4.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut” për të gjithë ata persona që kanë statusin e ushtarakut.
Dosja për pension invaliditeti
Për pension invaliditeti duhen dorëzuar certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë e gjendjes familjare, vërtetim i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë), vërtetim për profesionin apo natyrën e punës (për punëmarrësin), dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit të punësimit), raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarakët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak. Vërtetim për pagesën e paaftësisë shkaktuar nga aksidenti në punësëmundje profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin). Fletë-drejtimi për në KMCAP nga institucioni shëndetësor me shtreth, fletë-dalje nga spitali dhe ekzaminime e dokumente të tjera. Vërtetimi i mesatares bazë të vlerësueshme nga 1.1.1994 deri në ditën e lënies së punës. Procesverbal i aksidentit në punë, vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti Nr. 758, datë 1.4.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut” si dhe një vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.

Dokumentet për pension pleqërie
1. Mosha
2. Certifikatë lindjeje me fotografi
3. Certifikatë e gjendjes familjare
4. Certifikatë martese (vetëm për kërkueset femra)
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje
5. Fotografi për librezën e pensionit
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës:
1. Libreza e punës
2. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj
3. Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave
4. Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë
5. Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”: Dëshmi penaliteti, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë

Të ardhurat
1. Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontributi që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar
2. Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës
Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 561, datë 12.8.2005
Për pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm shtetëror
3. Certifikatë personale me fotografi
4. Certifikatë e gjendjes familjare
5. Vendim i Këshillit të Ministrave për caktimin e këtij pensioni shtesë

Pajisja me numër të sigurimit shoqëror

Pajisja me numër sigurimi shoqëror mbështetet në Ligjin Nr. 7845, datë 13.07.1994 “Për Numrin e Sigurimit Shoqëror”. Numri i sigurimit shoqëror përcakton identitetin e personit të siguruar. Punëdhënësi e përdor numrin e sigurimit shoqëror, në marrëdhënie me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për të identifikuar kontributet e derdhura për të punësuarit. Porositen punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, të kërkojnë pajisje me numra sigurimi shoqëror për punonjësit e pa pajisur. Organet Tatimore dhe ato të Sigurimeve Shoqërore nuk do të pranojnë listëpagesa, me mungesa të numrave të sigurimit.
Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›