Pensionet, Fullani: Ndryshoni ligjin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani
Raporti në Komisionin e Ekonomisë: Vetëm 2 banka rrezikojnë në rast se rriten kreditë e këqija.
Guvernatori: Duhet pakt politik për të vendosur rregullin fiskal.
Për herë të parë Banka e Shqipërisë e ka vënë theksin te reforma e pensioneve, e cila duhet që të miratohet sa më shpejt. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë mbrojtjes së raportit vjetor për vitin 2011 në Komisionin e Ekonomisë, preku dy çështje të rëndësishme. Së pari, miratimi me konsensus nga Parlamenti i një rregulli fiskal për borxhin publik dhe, së dyti, miratimin e ligjit për pensionet. Mendoj që më e rëndësishme sot do të ishte nëse në këtë tryezë do të kalonim rregullin fiskal. Ju ftoj që së bashku të bëjmë të mundur dy reforma të mëdha që do ti hapin hapësira ekonomisë shqiptare, siç janë përcaktimi i një rregulli fiskal nga Parlamenti dhe ligji për pensionet, u shpreh Fullani.
Prej kohësh reforma në skemën e pensioneve është duke u diskutuar dhe problemi më i madh që ka sot buxheti janë transfertat që kryhen për të mbuluar deficitin në këtë skemë. Ndryshimi i saj nga dykolonëshe në trikolonëshe duket se do të jetë edhe zgjidhja në ligjin për pensionet, ndryshimet e të cilit po konsultohen qysh nga fillimi me Bankën Botërore. Shqetësimit tjetër të opozitës, se shifrat e borxhit nuk janë reale, guvernatori iu përgjigj me propozimin e rregullit fiskal të miratuar në Parlament. Kjo nënkupton sanksionimin e një kufiri të caktuar borxhi që miratohet me 2/3 e votave në Parlament dhe që një qeveri nuk mund ta tejkalojë kurrsesi limitin e vendosur. Aktualisht një kufi i tillë për borxhin ekziston dhe është i sanksionuar në ligjin për buxhetin, ku limiti maksimal është 60 për qind e GDP-së, por kjo është e miratuar me 71 vota. Në rastin më të keq, një qeveri mund ta ndryshojë këtë kufi dhe në këtë kuadër, për të ruajtur stabilitet, Banka e Shqipërisë sheh si zgjidhje përcaktimin e rregullit fiskal që kërkon shumicë të cilësuar si për ta miratuar, edhe për ta ndryshuar.
Kreditë e këqija
Kreditë e këqija, ashtu sikurse pritej, kanë qenë në vëmendjen e pyetjeve të deputetëve të opozitës. Deputeti Arben Ahmetaj kërkoi të dinte nëse Banka e Shqipërisë ka një strategji për uljen e kredive të këqija dhe riskun që paraqet niveli 18.8 për qind. Guvernatori Ardian Fullani, në përgjigje të këtij shqetësimi, sqaroi se Banka e Shqipërisë ka bërë stress-testet e nevojshme edhe me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nga goditjet tona të stress-testit dy vitet e fundit, kryesish viti i kaluar, ne patëm një bashkëpunim me FMN-në, e ftuam atë që të bënim së bashku stress-testet për goditjen e sistemit bankar shqiptar në një goditje ekstreme. Nga kjo doli që sistemi bankar shqiptar, në qoftë se dhe rritja e kredive me probleme do të ndodhë mbi 50 për qind të shumës së sotme, vetëm dy banka në Shqipëri do të kenë nevojë për kapital shtesë, pra do të zbresin nën 12 përqindëshin, tha Fullani. Nga ana tjetër ai sqaroi se niveli i kredive të këqija është i lartë në vend, pasi matja që bën Banka e Shqipërisë nuk është e njëjtë me matjen që bëhet në rajon dhe më gjerë. Ne në matjen tonë marrim parasysh përjashtimin e kolateralit, pra nuk marrim parasysh vlerën e tij. Në kompleksitetin e saj kredia e keqe sot është 85 për qind e mbuluar me kolateral dhe për 55 për qind bankat kanë krijuar fondet e tyre shtesë. Një ndryshim që ne kemi me rajonin është që rajoni merr në konsideratë vetëm dy klasat e fundit, ndërsa ne marrim 3 klasat e fundit nga 5 që ka ndarja e kredive me probleme. Nëse do të vepronim siç vepron rajoni, atëherë kreditë me probleme do të ishin vetëm 9.5 për qind, tha Fullani. Një tjetër kërkesë që guvernatori parashtroi para deputetëve ishte ajo e votimit pro për ndryshimet ligjore që sanksionojnë ekzekutimin e kolateralit.
Debati tek ekonomia
Arben Ahmetaj: A ka Banka një qëndrim të sajin që në kohën kur është ulur konsumi i qeverisë, deficiti primar është rritur dhe kredia e keqe po ashtu, doja tju pyesja, a ka një strategji Banka për ta riparë të gjithë kredinë e keqe në aspektin e kolateralizimit, të vlerës korrente të kolateralit dhe të asaj kredie të keqe, e cila nuk ka absolutisht asnjë shpresë për tu rikthyer?
Ardian Fullani: Në matjen tonë ne marrim parasysh ekskludimin e kolateralit, pra nuk marrim parasysh vlerën e tij, dhe nëse e evidentojmë këtë, duhet të evidentojmë që niveli i mbulimit me kolateral të kredive është rreth 85 për qind, që është një shifër mbi normale. Ndërkohë qe e kemi thënë që plus kësaj, mbulimi me provigjone është 55 për qind. Një ndryshim që ne kemi me rajonin është që rajoni merr në konsideratë vetëm dy klasat e fundit, ndërsa ne marrim 3 klasat e fundit, nga 5 klasa që ka ndarja e kredive me probleme. Nëse do të vepronim siç vepron rajoni, atëherë kreditë me probleme do të ishin vetëm 9.5 për qind. Megjithatë, nga goditjet tona të stress-testit dy vitet e fundit, kryesish viti i kaluar, ne patëm një bashkëpunim me FMN, e ftuam atë që të bënim së bashku stress-testet dhe të godisnim sektorin bankar shqiptar në një goditje ekstreme. Nga kjo doli që sistemi bankar shqiptar, në qoftë se dhe rritja e kredive me probleme do të ndodhë mbi 50 për qind të shumës së sotme, vetëm dy banka në Shqipëri do të kenë nevojë për kapital shtesë, do të zbresin nën 12 për qindëshin.
Edmond Spaho: Nëse kthehemi te kolaterali, këtu është një kulturë e mangët e ekzekutimit të kolateralit dhe sigurisht që janë të rëndësishme ndryshimet në legjislacion për të garantuar ekzekutimin e kolateralit. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi mbështetës në iniciativat që ndërmerren për ekzekutimin e kolateralit, dhe jo të përçojmë mesazhe të kundërta.
Arben Malaj: E para, Guvernatori tha diçka. Këshilla e parë e Bankës së Shqipërisë është që marrëdhëniet biznes-banka të mos jenë thjesht marrëdhënie tregtare. E dyta, ciklet ekonomike, marrëdhëniet biznes-bankë, nuk shkëputen në momentin që nënshkruhet dhënia e kredisë, por vazhdojnë asistojnë njëri-tjetrin. Për biznesin kolaterali të jetë mundësia e fundit. Sektori bankar ka për përgjegjësi të zgjedhë dhe të mbështesë me kredi më të suksesshmit. Kredia është shitje paraje me kosto të larta, kështu që debati që diskutojmë është funksional.
Ardian Fullani: Unë ju ftoj që propozimet tona lidhur efektivitetin e tregut ti kaloni sa më shpejt.
Gjokë Uldedaj: Kohëve të fundit është deklaruar që në Greqi ka një numër të madh falimentimesh të bizneseve greke të vogla dhe të mesme dhe nga analistët ka dalë që arsyeja kryesore është mungesa e likuiditeteve dhe mjeteve qarkulluese të kompanive të vogla apo të mesme. A mendoni se në kuadër për tu mbrojtur duhet të vazhdojë politika shtrënguese e bankave në drejtim të kredidhënies, pasi dhe nga orientimet e FMN-së, masat e forta antikrizë mund të prodhojnë krizë në vetvete.
Ardian Fullani: Sistemi bankar shqiptar sot, duke pasur parasysh që është i mirëkapitalizuar, likuid dhe prodhon fitim, nuk ka në interesin e tij të ngushtë, në bazë të gjendjes së tij financiare të rritjes së depozitave, të mos japë kredi. Sistemi bankar po nxit kapacitetet për dhënie kredie. Problemi është që duhet një bashkëpunim sa më i mirë bankë-biznes për të paraqitur projekte të besueshme. Bankat që operojnë në Shqipëri janë ndërkombëtare dhe të gjitha këto banka brenda vitit duhet të arrijnë kapitalizmin e tyre 9 për qind. Detyra e biznesit është që të paraqesë projekte sa më reale, fitimprurëse dhe me efektivitet. Mendoj se nuk ka asnjë lidhje mes