E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia refuzon paktin për njohjen e patentave

Kujtim Hashorva

Drejtori i Politikave në Ministrinë e Transporteve raporton në Kuvend.

Greqia refuzon për të disatën herë njohjen e patentave të lëshuara nga shteti shqiptar. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, është tentuar të arrihet një marrëveshje me shtetin grek për konvertimin e patentave shqiptare, por kjo nuk është pranuar nga fqinjët. Ky fakt u bë me dije dje drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Kujtim Hashorva, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku u miratua marrëveshja e njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve me Kroacinë. Sipas Ministrisë së Transporteve, tashmë është arritur marrëveshje me të gjithë vendet e Ballkanit për të mundësuar konvertimin e patentave, por i vetmi shtet që ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh dhe që refuzon, mbetet shteti helen. Zyrtarët konsiderojnë si të suksesshme marrëveshjen e arritur me Italinë, vend në të cilin ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë që punojnë dhe që jetojnë. Kemi problem me Greqinë, megjithëse kemi insistuar disa herë për arsye se aty është një komunitet shqiptarësh. Ishte një sukses i madh që Italia e njohu, sepse është shtet komunitar dhe tregon një kredibilitet të dokumentit që kemi sa u përket elementeve të sigurisë, theksoi Hashorva.
Patentat
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, arsyeja që Greqia nuk pranon njohjen e patentave shqiptare, është për shkak të krizës ekonomike. Me njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve shqiptare, emigrantëve shqiptarë do tu mjaftojë marrja e lejes së drejtimit të automjetit në Shqipëri dhe jo të regjistrohen në autoshkollat greke në vendet ku ata jetojnë. Greqia për problemet e veta nuk ka interes ta njohë patentën, për shkak se duke pasur një prezencë të lartë të shqiptarëve në Greqi, nuk është e interesuar të konvertohet patenta shqiptare pasi ka interes që të vazhdojnë autoshkollat, kurset dhe gjërat e tjera. Praktikisht Greqia ka tre vjet që e zvarrit këtë problem, theksoi drejtori i MPT.
Njohjet
Ministria e Transporteve, sipas drejtorit Kujtim Hashrova, ka aplikuar në Bruksel për njohjen e lejes së drejtimit të dhënë nga shteti shqiptar. Këto marrëveshje janë në kuadër të programit të reduktimit të barrierave jo fizike, të cilat janë një problem i madh në kalimet kufitare. Ne tani kemi aplikuar në Bruksel. Duke qenë se edhe Sllovenia e ka njohur, ne kemi aplikuar në Bruksel për një njohje komunitare të lejes së drejtimit, në mënyrë që të lëvizet në të gjithë BE-në. Aktualisht janë disa vende të Ballkanit që i kanë hapur dritën jeshile njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, çka sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve redukton ndjeshëm radhët në pikat doganore. Ne kemi bërë një marrëveshje të tillë të njohjes reciproke të lejeve të drejtimit me Italinë dhe kjo është e dyta që kemi zyrtarisht me Kroacinë. Përpara sezonit veror kemi vendosur që ta bëjmë edhe me Maqedoninë. Me Malin e Zi kemi firmosur protokollin për ti njohur, por nuk është bërë marrëveshja. Me Bosnjë-Hercegovinën, gjithashtu me Slloveninë dhe Bullgarinë. Praktikisht në të gjithë territorin e Ballkanit mund të lëvizet me lejen personale të drejtimit. Kjo lehtëson shumë kalimin në kufi, për arsye se redukton kohën e pritjes në kufi, theksoi dje drejtori i Politikave në MPT.

Votimi
Votimi i marrëveshjes së njohjes së lejeve të drejtimit të automjeteve midis Shqipërisë dhe Kroacisë është miratuar dje me konsensus nga deputetët e maxhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Marrëveshja me Kroacinë dhe njohja e ndërsjellë e patentave do të miratohet ditën e enjte në seancë plenare.

Patentat
Në marrëveshjen e miratuar nga Ministria e Transporteve thuhet se: Modeli prej kartoni i lejes së drejtimit të lëshuar në Shqipëri nga data 1 korrik 2005 dhe një model prej letre i lejes së drejtimit, i vlefshëm nga data 1 nëntor 1999 dhe mund të konvertohet në Republikën e Kroacisë një vit nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, thuhet në draftin e miratuar nga Komisioni parlamentar i Ligjeve.  Sipas marrëveshjes, shtetasit e dy vendeve që janë mbajtës të një leje drejtimi në kategori të ndryshme dhe që janë rezidentë ose me qëndrim të përkohshëm në territoret përkatëse, nuk kanë nevojë të rifillojnë procedurat e regjistrimit dhe të procesit të marrjes së lejes së drejtimit.

Lehtësitë
Marrëveshja e njohjes së lejeve të drejtimit të automjeteve midis Shqipërisë dhe Kroacisë është nënshkruar në Tiranë në datën 23 janar të këtij viti. Në relacionin e projektligjit thuhet se: Palët kontraktuese do të njohin për qëllim qarkullimi në territorin e tyre lejet e drejtimit kombëtar për periudhën e vlefshmërisë së tyre, pa pasur nevojë të pajisen me leje drejtimi. Korrespondenca për informacionin e nevojshëm do të jetë i shpejtë nëpërmjet faksit të zyrave përkatëse. Kështu, shtetasit shqiptarë nuk detyrohen të vijnë në Shqipëri për tu pajisur me dokumentet e kërkuara, thuhet në projektligj.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›