E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, aplikimi tani një vit para kohës

Ministria e Financave ka nxjerrë së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore udhëzimin e ri për dokumentat që duhen për pensionet. Personat të cilët do të duhet të aplikojnë për pension duhet të paraqesin një vit para kërkesën.
DOKUMENTACIONI  

TIRANE- Personat të cilët do të duhet të aplikojnë për pension (pleqërie, familjar, invaliditeti, apo shtetëror të posaçëm), duhet të paraqesin pranë institucioneve përkatëse, një vit para daljes në pension, kërkesën për marrjen e pensionit. Ministria e Financave ka nxjerrë së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore udhëzimin e ri për dokumentat që duhen për pensionet, mënyrën e aplikimit dhe përgjegjësitë për zyrtarët që do të marrin në shqyrtim dosjet e qytetarëve. Të njëjtat procedura sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, tashmë botuar në fletoren zyrtare, ndiqen për të gjithë ata që kërkojnë apo përfitojnë shtesë pensioni, por edhe kërkesat për ndryshim të masës së pensionit.
“Kur personi fillon procedurën e aplikimit, paraqitet tek personi përgjegjës i agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, dhe ky i fundit, duhet ta pajisë qytetarin me të gjithë udhëzimet për dokumentet që duhet të bëjë gati për pension” thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave.
Që në fillim të kërkesës, pra një vit para daljes në pension, qytetarët duhet të dorëzojnë certifikatën personale, librezën e punës si dhe për femrat, certifikatë martese. Në rast se kërkesa për pension bëhet në rrethin ku qytetarët jetojnë e kanë punuar, afati për verifikimin e dokumentacionit nga zyra përkatëse është 30 ditë kalendarike. Ndërsa kur kërkesa duhet të bëhet në një tjetër drejtori, afati është dy muaj, pra 60 ditë kalendarike.
Transferimi i dosjeve
Lëvizjet e shumta demografike në vend kanë hapur edhe shumë telashe e procedura burokratike sa i përket dosjeve për pensionet. Në udhëzimin e ri, ministria e financave përcakton rregullat përkatëse të ndryshimit të destinacionit të marrjes së pensionit. Eshtë vetë personi i interesuar që shkon në agjencinë lokale përkatëse dhe kërkon sjelljen e dosjes së pensionit nga vendbanimi i kaluar. Por ka disa dokumenta që duhet të dorëzojë mes të cilave edhe vërtetimi për vendbanimin e ri si dhe një kopje e kontratës së personit, lidhur me KESH, për pagesën e faturave të energjisë elektrike, kur është e mundur dhe kur kërkohen kompensime. Agjencia lokale ka vetëm një javë kohë për të vërtetuar dhe shqyrtuar gjithë dosjen e re në mënyrë që ti kthejë përgjigje personave të interesuar. “Nuk lejohet të transferohet një dosje pensioni, nëse nuk është paguar minimumi një këst mujor pensioni në agjencitë paguese të territorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që ka caktuar pensionin” thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›