E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamera dixhitale për monitorim në portin e Durrësit

Sipas drejtuesve të portit, investimi siguron vëzhgimin e pandërprerë të doganës, policisë portuale, kapitanerisë,dhe të gjitha hyrjet dhe daljet e anijeve nga ky port. BB-ja dhe disa banka të tjera dhanë 15 mln euro për projektin. 

DURRËS - Instalimi i një rrjeti kamerash dixhitale për të monitoruar të gjithë hapësirën territoriale, është projekti i radhës në portin detar të Durrësit, financuar nga BB-ja dhe monitoruar nga ekspertët e Rojeve Bregdetare Amerikane. Sipas drejtuesve të portit, investimi siguron vëzhgimin e pandërprerë të doganës, policisë portuale, kapitanerisë, kompanive të ngarkim-shkarkimit, agjencive detare dhe atyre të sigurimit si dhe të gjitha hyrjet dhe daljen e anijeve nga ky port. APD (Autoriteti Portual Durrës), konfirmon se ky projekt i rëndësishëm do të nisë së shpejti. Roja Bregdetare Amerikane, 4 vjet të shkuara e renditi portin e Durrësit në një radhë me portet e disa prej vendeve afrikane, duke e cilësuar si një ndër më të pasigurtit e kontinentit. Për të dalë nga kjo listë, u krijua "Forca e Sigurisë Portuale", e cila e ka ngjitur disa shkallë në renditje dhe e ka transferuar atë në listën "C", ku futen portet me koeficiente mesatarë sigurie. Për të realizuar projektin, mësojmë se është kërkuar ndihma e institucioneve të specializuara. Me ndihmën e tyre do të bëhet i mundur përcaktimi i vendeve se ku do të instalohen kamerat si dhe ku do të ngrihen sallat e komandimit, të cilat do të mbajnë në vëzhgim "non-stop" të gjithë aktivitetin portual. BB-ja dhe disa banka të tjera kanë dhënë një fond prej 15 milionë eurosh për forcimin e sistemit të kontrollit e gatishmërisë në port, si dhe për mjedise bashkëkohore pune. Kjo kredi do të materializohet me projekte në vitin 2010. Gjatë 5 vjetëve të fundit në port janë investuar 58 milionë euro, ku përfshihet dhe projekti i sigurisë së brendshme nëpërmjet instalimit të një rrjeti kamerash dixhitale monitorimi.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›