Universitetet, nesër nisin Masterat për 4110 studentë
Këto studime do të ndiqen vetëm nga studentët që kanë mbaruar tre vjet të shkollës së lartë të përfshirë në sistemin e Bolonjës. Masterat janë hapur vetëm në universitetet e Tiranës.
TIRANE- Janë plot 4110 studentë, të cilët nisin nesër vitin akademik për studimet Master dhe diplomat e nivelit të dytë në 123 profile të ndryshme. Masteri i nivelit të parë zgjat një vit akademik dhe duhet që studenti duhet të grumbullojë 60 kredite, ndërsa cikli i dytë i studimeve zgjat dy vite akademike dhe kandidati duhet të grumbullojë 180 kredite. Në varësi të profilit që ata kanë zgjedhur të specializohen, ndryshon edhe tarifa e shkollimit, e cila varion nga 38 mijë lekë deri në 72 mijë lekë të reja.
Studimet Master
Viti akademik për studentët e parë që do të ndjekin programet e ciklit të dytë dhe Master i nivelit të parë, nis nesër, më 10 nëntor. Këto studime do të ndiqen vetëm nga studentët që kanë mbaruar tre vjet të shkollës së lartë të përfshirë në sistemin e Bolonjës. Për marrjen e diplomës së këtij niveli, këta kandidatë duhet të kenë grumbulluar në total për gjithë kohëzgjatjen e ciklit të studimeve, rreth 180 kredite. Nesër, më 10 nëntor nisin edhe programet e studimit Master të nivelit të parë në mësuesi për arsimin e mesëm në Fakultetet e Gjuhëve të Huaja, të Histori-Filologjisë dhe në Shkencat e Natyrës të Universitetit të Tiranës. Programet e studimeve Master të nivelit të parë, me kohëzgjatje 1 vit, në mësuesi për arsimin e mesëm, do të realizohen me 60 kredite. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, mësohet se për këtë vit akademik janë miratuar 77 diploma të nivelit të dytë dhe 46 mastera të nivelit të parë. Këto programe studimi kanë rreth 4110 kuota të përcaktuara, për të cilët ka përfunduar tashmë edhe përzgjedhja e fituesve. Po sipas MASH-it, programet e studimit të ciklit të dytë dhe programet e studimit Master i nivelit të parë, me kohë të plotë, do të fillojnë në datën 10 nëntor 2008 dhe do të mbyllen më 30 shtator 2009.
Tarifat
Përveç taksës së regjistrimit prej 2500 lekësh të reja, aplikantët që duan të nisin Master të nivelit të parë apo të marrin një diplomë të nivelit të dytë, do t'iu duhet të paguajnë edhe tarifa të tjera shkollimi. Në fakt, universitetet kanë dërguar prej kohësh propozimet për këto tarifa, të përllogaritura në bazë të kostos së studimeve, e cila varionte deri në 150 mijë lekë të reja. Por duket se Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë vendosur t'i lehtësojnë studentët nga tarifat. Kështu, te Filologjiku, për degët ku ka më shumë kërkesa, siç janë ato të mësuesisë, tarifa e shkollimit do të jetë 48 mijë lekë të reja, ndërsa për degë të veçanta, siç është Arkeologjia, mjaft e preferuar, tarifa e shkollimit do të jetë 72 mijë lekë të reja. Ndërkohë që te Gjuhët e Huaja, 72 mijë lekë të reja do të paguajnë ata që do të nisin ciklin e dytë të studimeve, ndërsa për ata që kanë preferuar Masterin e nivelit të parë, tarifa e shkollimit është 38 mijë lekë të reja. Tarifa që do të aplikohet nuk është fikse. Fakultete të ndryshme do të aplikojnë tarifa të ndryshme, por që variojnë nga 40-70 mijë lekë të reja.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)