E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet ne Europe nje kercenim pese here me i madh se kriza aktuale e borxhit

Një problem europian më i madh se kriza e borxheve janë fondet shtetërore të pensioneve. Sipas një studimi të BQE, të drejtuar nga qendra e studimeve për kontratat e përgjithshme të universitetit Freiburg, rezulton se janë rreth 39 trilionë euro detyrimet për pensionet e parashikuara për popullsinë ekzistuese. Sipas këtij studimi ky detyrim është pesë herë më i madh se borxhi publik në 19 vende të BE, të marra në analizë. Nga kjo shumë vetëm Gjermania llogarit rreth 7,6 trilonë euro dhe Franca 6,7 trilonë apo rreth 47% të totalit, thonë autorët e raportit. Këto të dhëna janë shqetësuese duke konsideruar edhe masat e ndryshme të aplikuara për reduktimin e borxhit publik të cilat do ta cojnë bllokun drejt një recesioni, duke shkaktuar një rëndesë të krizës financiare në vijim. Lindjet e qëndrueshme apo në rënie por edhe rritja e jetegjatesise, shtojnë presionet duke rënduar kuadrin, ku përqindja e prodhimit të destinuar për pensionet e vendosura duhet të arrijë në 14% në vitin 2060. Kjo situatë e paqëndrueshme duhet të ndryshohet ka komentuar për bloomberg, një nga kërkuesit e Institutit ndërkombëtar të ekonomisë në uashington.
Me plakjen e popullsisë, analistët mendojnë se rritja e moshës së daljes në pension dhe përfitimet e ulëta duhet të jenë pjesë e cdo pakete për ta mbajtur eurozonën të bashkuar. Europa ka përqindjen më të lartë të personave me moshën më të madhe mbi të 60- at, nga të gjitha vendet e tjera të botës, dhe sipas raportit të OKB, përqindja do të rritet në rreth 35% brenda vitit 2050 nga 22% që ishte në 2009. Edhe sipas një studimi të OECD-së numri i personave mbi 65 vjec në 34 vende anëtare parashikohet të shkojë në 350 milionë në 2050 nga 85 milionë në vitin 1970. Rritja e jetgjatësisë në Europë po shtohet me një ritëm me pesë orë në ditë, thonë studimet. Qeveritë dhe kompanitë europiane kanë ndërmarrë masa për zvogëlim të shpenzimeve me hartuesit e politikave, duke rritur moshën e daljes në pension kryesisht vendet si Franca, Gjermania, Greqia, Italia dhe Britania e Madhe.
Qeveritë dhe drejtuesit e pensioneve mbështeten në rritjen ekonomike për të mbrojtur premtimet e bëra. Por nëse ekonomia në Eurozonë rritet shumë ngadalë për të shtuar arkat publike dhe private, planet e daljes në pension mund të bëhen të papërballueshme. Fondet private të pensioneve janë nën presion edhe nga normat bazë të referimit të euros, të cilat janë në nivelet më të ulëta që nga dalja e euros. Norma te ulëta të interesit do të thotë se planet për pensionet duhet të gjejnë më shumë burime për të arritur projektet e tyre të pagave në periudha afatgjata.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›