Pensionet, për tre vjet rritja 690 lekë

Ministria e Financave ka parashikuar që për periudhën 2009-2011 të ketë rritje të të ardhurave, që do të mblidhen nga kontributet e sigurimeve shoqërore, çka do të sjellë edhe realizimin e skemës për barazimin e pensionit të fshatit me qytetin. Parashikimet e financave për rritjen e të ardhurave janë kryer mbi bazën e trendit të të ardhurave për këtë vit. Pikërisht duke u nisur nga kjo situatë, Ministria e Financave kërkon të vijojë politikat për rritjen e pensioneve për tre vitet e ardhshme, ku mësohet se do të jenë të njëjtët nivele si për vitin 2008. Pra, edhe për tre vitet në vijim, rritja e pensioneve do të jetë 15 për qind për pensionistët e fshatit dhe 10 për qind për pensionistët e qytetit. Qëllimi i ndjekjes së kësaj skeme është synimi i qeverisë për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Pra, sipas skemës së Ministrisë së Financave, rritja e pensioneve të fshatit në 3 vitet në vazhdim do të jetë 690 lekë në muaj. Ky skenar që kërkon të ndjekë Ministria e Financave parashikon rritje të njëjtë në masë të pensionit të fshatit sa ajo që ka qenë në vitin 2008, pra që është 690 lekë në muaj. Sipas kësaj rritjeje, pensionet e ulëta minimale të fshatit nuk janë më të ulëta se 5200 lekë në muaj, pra ky pension bëhet sa 55 për qind e atij të fshatit. Por barazimi për këtë kategori është i pamundur, pasi financat përfshijnë në skemën e tyre të barazimit vetëm të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët kanë paguar kontributet vullnetarisht dhe kanë përfituar këtë vit një pension në masën 6 910 lekë, ose sa 72.6 për qind e pensionit të qytetit. Kurse për pensionistët e qytetit, rritja do të jetë 10 për qind, ose 760 lekë në muaj. Rritja për pensionet e qytetit do të jetë më e lartë, për shkak se ajo llogaritet mbi pensionin bazë, i cili është më i lartë se pensioni bazë. Kurse rritja e parashikuar e të ardhurave nga kontributet sipas Ministrisë së Financave, do të jetë rrjedhojë e rritjes ekonomike dhe formalizimit të tregut të punës. Gjithashtu, këto të ardhura do të jenë subjekt ndryshimi, për shkak të ndryshimit dhe reformimit të skemës ekzistuese të pensioneve. Megjithatë, sipas parashikimeve nga Ministria e Financave, duhet nënvizuar se këto parashikime do të jenë të ndryshueshme në varësi të reformës së skemës së pensioneve. Kjo rritje e masës së kontributeve pritet të jetë pasojë e reformave që janë marrë në sistemin e pagave. Disa ditë më parë qeveria mori vendimin për rritjen e pagës minimale për punonjësit buxhetorë, por edhe ata në sektorin privat në 17 mijë lekë në muaj, nga 16 mijë lekë që është aktualisht. Miratimi i pagës minimale ka për qëllim rritjen e nivelit të kontributeve që paguajnë bizneset dhe shteti për punonjësit, pasi sa më e lartë të jetë paga minimale, aq më i lartë është kontributi që paguhet ndaj sigurimeve shoqërore. Ndërsa për ata që punojnë me kohë të pjesshme, paga minimale do të jetë 98 lekë për orë pune, nga 92 lekë që ishte më parë. Në sektorin buxhetor paguhen me pagë minimale 6700 punonjës, ose rreth 6 për qind e punonjësve buxhetorë.