E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikoi tre qytete për telat e bakrit

As 24 orë pas shpërthimit të rrezikshëm, policia arriti të vinte në pranga 41-vjeçarin Agim Hoxha, të akuzuar si autor i prodhimit dhe i vendosjes së bombës artizanale

FIER - As që e ka menduar se mund të kishte rrezikuar jetën e banorëve të tre qyteteve, nëse do të kishte vënë sasi më të mëdha nitrati amoni e benzenesh Arben Hoxha, kur tentoi që të vidhte kabllot elektrikë të tensionit të lartë, të vendosur pranë depozitave të fabrikës së uresë në Fier. Arrestimi i 41-vjeçarit Hoxha u bë, pasi ai dyshohet se është autori i vënies së eksplozivit artizanal në një kanal të betontë që lidhte të gjithë repartet e fabrikës së uresë, ku janë në gjendje konservimi rreth 100 tonë acid nitrik dhe 1000 tonë gaz i lëngët, lëndë këto shumë të rrezikshme kimike, që mund të bënin hi Fierin, Lushnjën e Kuçovën, nëse do të kishin shpërthyer si pasojë e vendosjes së lëndës plasëse. As 24 orë pas shpërthimit të “bombës” artizanale, policia lokale mundi që të bjerë në gjurmët e personit të dyshuar për vendosjen e saj. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, u bë e mundur vënia në pranga e 41-vjeçarit Agron Hoxha, banori i fshatit Drizë të komunës Qendër të Fierit. Hoxha pasi kishte hyrë edhe herë të tjera në ambientet e kësaj uzine, kishte pikasur se në një kanal prej betoni që lidhte të gjithë repartet e kësaj uzine, kalonin kabllot elektrikë që shpërndanin energjinë elektrike në uzinë, por që për shkak se ajo ndodhej në proces konservimi në këto kabllo, nuk kalonte energji elektrike. Burime policore sqarojnë më poshtë, se kanali ku kalonin këto kabllo elektrikë ishte prej betoni, ashtu si dhe mbulesa e këtyre kanaleve. Hoxha kishte ndërtuar një bombë artizanale me benzenë dhe nitrat amoni, të cilën e kishte vendosur te kanali kryesor ku kalonin kabllot. E gjithë kjo ishte bërë vetëm për të përfituar sasi kabulli prej bakri, të cilët, duke pasur një peshë të rëndë, do të shiteshin për hekurishte. Por 41-vjeçari pas shpërthimit është trembur vetë nga zhurma dhe është larguar, pa ia dalë të kryejë vjedhjen. Pas veprimeve policore, në vendin e ngjarjes grupi i ekspertëve ka gjetur edhe shenja gishtash, si dhe disa vegla pune. Të gjitha këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që pritet edhe rezultati i ballafaqimit të shenjave të gishtërinjve të Hoxhës me ato të gjetura në vendin e ngjarjes. Burimet zyrtare pohuan se Hoxha akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe vjedhje e mbetur në tentativë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›