Të jetë prapë kërp?

TIRANË - Laboratori Qendror i Kriminalistikës duhet t’i japë një tjetër përgjigje policisë së Shkodrës për sasinë më të fundit të bimëve të prera në zonat malore. Kërp apo hashash? Kjo është dilema në të cilën e gjen veten policia lokale e qytetit veriperëndimor të paktën 8 vitet e fundit, ku historia e kërpit dhe e hashashit është kthyer në një “telenovelë”, e vërteta e së cilës kalon herë nga njëra palë, pra policia, e herë nga banorët, mbjellësit e bimëve të dyshimta.
Ekspertiza
Dje, Antidroga e Shkodrës solli në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës bimët e prera në fshatrat Shkrel dhe Temal. Gjashtë qese të mëdha të tejdukshme që mbanin brenda bimën, janë transportuar mesditën e djeshme në ambientet e laboratorit të Ministrisë së Brendshme. Burime të besueshme pranë këtij institucioni bënë të ditur se në qeset e mbyllura hermetikisht, të cilat mbanin mbishkrimin “Policia e Shkodrës”, ndodhej sasia e sekuestruar e lëndës së dyshuar si bimë narkotike. Por mesa duket ekzistojnë dhe dyshimet se hashashi i pretenduar nga policia mund të jetë edhe kërp industrial. Efektivë të policisë së qytetit verior transportuan dje qeset, të cilat kishin si destinacion laboratorin. Lënda do t’i nënshtrohet ekspertizës së specialistëve të Laboratorit Kriminalistik, të cilët do të nxjerrin rezultatet nëse 916 rrënjët e sekuestruara në komunën e Temalit në Shkodër është kërp industrial apo kanabis sativa. Tri ditë më parë, në sajë të fushatës kundër mbjelljes së hashashit, pas Lazaratit, një sasi e madhe bime narkotike e dyshuar si hashash u arrit të sekuestrohej nga policia. Kjo e fundit arriti që të zbulonte dhe të asgjësonte 900 rrënjë të bimës kanabis sativa në komunën e Temalit, pa mundur të zbulonte pronarët e kultivimit të tyre. Ndërkohë që disa ditë më parë mbi 20 000 rrënjë hashash u asgjësuan në komunën e Shkrelit. Kjo zonë njihet si ndër më problematiket për kultivimin e kanabisit. Ndërsa disa javë më parë, pas mbërritjes së analizave zyrtare nga Britania, policia arrestoi për të disatën herë Martin Pllumin, kryetar i shoqatës së fermerëve të komunës Shkrel. Analizat e kërkuara nga policia treguan se nuk bëhej fjalë për kërp, por për kanabis sativa dhe që kultivohej në masë nga fermerët e zonës. Që nga viti 2001, historia mes dilemës për kërp ose hashash përsëritet. Në vitin 2001 u arrestuar për të parën herë Pllumi, pasi kur ishte kryetar komune policia asgjësoi rreth 500 mijë rrënjë kanabis. Po në vitin 2005, policia u sekuestroi fermerëve 1 ton nga kjo bimë, si dhe arrestoi Martin Pllumin dhe katër persona të tjerë. Disa muaj më vonë ata u lanë të lirë, sepse Instituti i Mjekësisë Ligjore e nxori si kërp industrial. Policia këmbënguli dhe nisi analizat në Angli, përgjigjet e së cilës ishin se fermerët e Shkrelit kultivonin hashash. I gjithë ky kultivim bëhej nën kujdesin e një shoqate bamirëse humanitare, e cila herë pas here ka dalë në mbrojtje të fermerëve.