E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet private, si mund të përfitosh me 5 vjet kontribute

Autori i Lajmit: red.
“Në këtë rast nëse paguan për një periudhë disavjeçare më shumë se sa pesë vjet sigurimet në skemën private dhe për arsye të ndryshme mbetesh pa punë apo shfaqen probleme ekonomike, këta persona mund t i drejtohen sigurimeve private për të marrë ndihmën përkatëse”

Sipas skemës shtetërore, për të marrë pension të pjesshëm duhen të paktën 15 vjet punë të kryera ose për të marrë pension të plotë kërkohen rreth 35 vjet të siguruara. Ndërsa sigurimi në skemën private nuk e ka këtë kufizim. Sipas përcaktimeve përkatëse, mund të marrësh masën e pensionit edhe pa plotësuar këto vite. Në këtë rast nëse paguan për një periudhë disavjeçare më shumë se sa pesë vjet sigurimet në skemën private dhe për arsye të ndryshme mbetesh pa punë apo shfaqen probleme ekonomike, këta persona mund t i drejtohen sigurimeve private për të marrë ndihmën përkatëse. Kjo kuptohet në atë masë sa është dhe kontributi i derdhur për vitet e siguruara. Mund të marrë nga të ardhurat e depozituara për efekt të pensioneve në skemën private çdo person që ka mbushur të paktën pesë vjet e lart si periudhë të derdhjes së kontributeve në agjencitë private. Përfitimi do të jetë në një masë të caktuar se janë derdhur dhe kontribute.
Model përfitimi
“Nëse unë kam derdhur dhjete vjet në skemë private, kam të drejtë që nëse mbes pa punë mund të marrë të ardhura ndihmë nga kontributet që kam derdhur. Ndërkohë që kur të mbush moshën e plotë mund të marrë edhe nga skema shtetërore. Njëkohësisht në këtë rast nuk humbet e drejta e kalimit të pensionit tek pjesëtarët e tjerë të familjes në rast se individi që ka derdhur kontribute në skemë private humbet jetën. Risi, e cila nuk mund të zbatohet në skemën shtetërore, në këtë rast kontributi i derdhur i kalon pjesëtarëve të familjes vetëm në rastet kur ka fëmijë të vegjël”.
Profesionet e vështira
Aplikimi i skemës me tre kolona për sigurimet është menduar që të jetë shumë i favorshëm sidomos për profesionet e vështira. Pasi do të ndihmonte personat që i përkasin kësaj kategorie që të dalin në pension më shpejt, se sa do të mund të dilnin nga aplikimi i skemës shtetërore. Njëkohësisht kjo gjë do të shërbente dhe për një pjesë të mirë të kohës së domosdoshme për përfitim të pensionit shtetëror. Për shembull po të marrim rastin e një minatori, të cilit i duhet një moshë e madhe për të dalë në pension përkatësish 65 vjeç, ç ka është shumë e lartë. Aplikimi i skemës private do të mundësonte që ky person të marrë një masë më të lartë pensioni në sajtë të futjes në lojë të skemës private edhe pse nuk ka arritur moshën e plotë. Gjithashtu mund të përfitojë edhe pensionin e plotë kur mbush moshën në bazë të skemës shtetërore duke përfituar në këtë mënyrë në masën dyfish. Kriteret dhe masa përfituese në skemën private do të rregullohet sipas akteve përkatëse.
Skemat vullnetare të privatit
Njëkohësisht do të funksionojë dhe skema e tretë e sigurimeve vullnetare private. Kështu ata persona që duan një masë më të lartë pensioni mund të derdhin po pranë këtyre skemave private një shumë të caktuar të ardhurash dhe të përfitojnë përveç dy masave të caktuara prej dy llojeve të pensioneve të mësipërme edhe një tjetër shtesë. Ky lloj sigurimi mund të bëhet në mënyrë vullnetare, nga të gjithë ata persona, të cilët gëzojnë të ardhura të mira ekonomike, por që për arsye të ndryshme nuk janë të kënaqur me masën e pensionit që përfitojnë në sajë të derdhjes së kontributeve në shtetet, mund të aplikojnë edhe këtë skemën e re. Aktualisht kuota e sigurimit vullnetar privat është shumë më e ulët se sa ajo shtetërore, ndërsa përfitimi është më i madh se sa ai shtetëror. Në këtë skemë mund të sigurohesh duke filluar nga 500 lekë të reja e më shumë në muaj.
Funksionimi i skemës
Në vendin tonë aktualisht funksionojnë dy shtylla të sistemit të pensioneve. Kolona e parë dhe e tretë. Kolona e parë është e detyrueshme, kolona e tretë është vullnetare. Shtylla e parë njihet më shpesh si kontributet e detyrueshme për pension. Është skema e pensionit të sigurt, pasi menaxhimi është publik pra bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me financim të buxhetit të shtetit. Përfitimi i pjesëmarrësve në skemë është i përcaktuar dhe i rregulluar me ligj, në bazë të kontributeve që derdhin gjatë kohës që janë në marrëdhënie pune, si një përqindje mbi mesataren e të ardhurave mujore. Po nga ky institucion mbulohet edhe skema e pensioneve suplementare, disa prej të cilave nuk janë të bazuara te kontributet, siç është pensioni për personelin ushtarak. Kolona private e pensioneve
Kolona e tretë e skemës së pensioneve private është vullnetare dhe bazohet tërësisht në menaxhimin privat të kontributeve, plotësisht të financuara. Edhe në këtë rast kontributi është i përcaktuar, por skema është individuale dhe profesionale. Marrëdhëniet janë të rregulluara me ligjin e vitit 1995 “Për pensionet suplementare dhe institutet e pensioneve private”. Në vendin tonë janë të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tre institute që ofrojnë këto shërbime, të cilat janë ngritur dhe funksionojnë si të tilla prej vitit 2006. Të tri këto institute kanë kapital tërësisht vendas. Numri i kontribuesve në këto institute është rritur ndjeshëm gjatë vitit që lamë pas. Në fund të vitit 2007 ishin vetëm 2 872 persona kontribues në skemën e pensioneve private, ndërsa në fund të vitit 2008 ky numër arriti në 3 861 persona për të tre institutet, ose një rritje me 34, 4 për qind. Në të njëjtën mënyrë është zgjeruar edhe vlera e kontributeve në total. Në vitin 2007 shuma e kontributeve, sipas statistikave zyrtare të AMF-së, ishte më shumë se 32 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2008 kjo shumë ishte më shumë se 53 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 65 për qind. Fondet private të pensioneve nëpërmjet kompanive menaxhuese varen drejtpërdrejt nga AMF-ja, e cila i licencon, i mbikëqyr dhe i rregullon marrëdhëniet e varësisë mes tyre. Për kryerjen e transaksioneve është e detyrueshme përfshija e sistemit bankar, që në këtë rast kryen rolin e depozitarit. Ndërkaq, marrëdhëniet mes kontribuesve në skemë dhe kompanive menaxhuese rregullohen me anën e kontratave. Këto të fundit mund të jenë individuale, pra fond individual i pensionit vullnetar, ose kolektive dhe rregullohen nga punëdhënësi. Në këtë rast fondi i pensioneve profesionale.
Ky lajm është publikuar: 08/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›