E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Nuk do të lejojmë Greqinë të sulmojë Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Walter Lippmann

22 shtator 1949 - Gadishulli i Ballkanit, ku nisi Lufta e Parë Botërore, është gati për t u ndezur edhe një herë tjetër. Shkëndijat po fluturojnë në turrën e rebelimit të Titos, në rrëmujën shqiptare dhe Luftën Civile Greke. Ata duhet të dalin nga kjo vorbull, përpara se të ndizet zjarri, që mund të përhapet në të vërtetë shumë larg. Natyra e saktë e rrezikut është si zakonisht errësuar nga zërat, të cilat flasin për vështirësinë e ndarjes së propagandës nga e vërteta. Por nuk ka asnjë dyshim, se Komniformi, si instrument i politikës sovjetike, është duke komplotuar për të nxitur veprime ushtarake kundër pavarësisë së Jugosllavisë, por dhe qeveria greke ka parashikuar pushtimin e Shqipërisë së jugut. Nëse cilado nga këto kërcënime për paqen e Ballkanit realizohet, ajo do të precipitojë luftë dhe luftë civile në çdo vend të Ballkanit, por që nuk mund të lokalizohet me siguri. Në atë luftë mund të përpijen nga vorbulla të gjitha fuqitë. Rreziku është mjaftueshëm i lartë sa të bëjë thirrje për nxitje dhe veprime vendimtare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është detyra dhe interesi ynë të mbajmë qëndrim kundër çdo lëvizje të mundshme të çdo ushtrie përtej çdo kufiri ekzistues ndërkombëtar. Parimi i veprimit tonë, duhet të jetë ai i kundërshtimit të çdo veprimi të organizuar ushtarak nga çdo vend jashtë kufijve të tyre. Ne duhet të këmbngulim që Lufta Civile Greke të mbetet brenda kufijve të saj ekzistues të Greqisë, traziarat shqiptare të mbeten brenda Shqipërisë dhe grindja jugosllave brenda Jugosllavisë. Vendi për të vendosur kufirin qartazi dhe me kujdes është në pikën ku ushtritë e organizuara apo forcat të kalojnë kufijtë dhe ndërhyjnë në luftërat e brendshme. Nëse e vendosim këtë kufi atje, ne mund të jemi të aftë të parandalojmë luftërat civile dhe trazirat që mund të jenë shkëndijat, të cilat mund të sjellin një luftë ndërkombëtare. Në lidhje me qeverinë britanike, ne kemi këshilluar tashmë dhe kjo kuptohet, qeverinë greke që të mos e pushtojë Shqipërinë. Ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë, përderisa kemi furnizuar me armë ushtrinë greke dhe po paguajmë deficitet e qeverisë greke dhe të ekonomisë së saj në tërësi. Do të ishte e patolerueshme, nëse qeveria greke do ta shpërfillte këshillën tonë dhe ta përfshinte Amerikën në atë që do të ishte një akt ndërkombëtar agresioni. Për pak kohë, qeveria greke mund ta argumentojë me një farë besueshmërie që është e pamundur të mundësh të gjithë guerrilët grekë, nëse ata nuk ndiqen deri në bazat e tyre përtej kufirit shqiptar. Pozicioni shqiptar zhvleftësohet nga fakti që qeveria greke uron të aneksojë jugun e Shqipërisë, të cilin ajo e quan Epir i Veriut. Prandaj, një ndërhyrje brenda Shqipërisë për të luftuar guerrilët grekë, në rast se do të ishte i suksesshëm, do të shndërrohej në mënyrë të pashmangshme pushtim dhe zotërim i territorit të huaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht sepse kanë një pozicion kaq të veçantë në Greqi, nuk mund të ndihmojnë, mbështesin apo të tolerojnë një iniciativë të tillë, pa dhunuar detyrimet e saja të Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe pa dobësuar ndikimin e saj moral në të gjithë botën. Nëse, por vetëm nëse, ne kemi shqyrtuar çështjen greko-shqiptare, a do të jemi ne në një pozicion për të vepruar me ekektshmëri kundër rreziqeve të cilat lindin nga çështja Tito-Komniform-Bashkim Sovjetik? Po. Unë besoj se se ne nuk duhet të humbasim kohë duke e bërë kaq të thjeshtë se agresioni ushtarak kundër Jugosllavisë bie ndesh me nenin 51 të Statutit dhe nëse Jugosllavia detyrohet për t i rezistuar pushtimit ushtarak përtej kufijve të saj dhe kërkon ndihmë, ndihma do t i jepet menjëherë dhe e plotë. Unë nuk besoj se ne duhet të presim për të bërë të njohur pozicionin tonë, derisa sa trazirat të shpërthejnë dhe çështja të dërgohet përpara Këshillit të Sigurisë. Ne duhet të bëjmë të njohur pozicionin që duhet të marrim, nëqoftëse ka trazira dhe nëse ngrihet si çështje. Kjo është mënyra më e mirë për të frenuar agresionin, për të kundërshtuar organizatorët e agresionit dhe për të parandaluar konfliktin përpara se të shpërthente dhe të bëhej i pamenaxhueshëm. Veprime parandaluese të tilla, nuk do të përfshijnë rrisqe të reja apo ndonjë angazhim të ri. E vërtetë për botën sot është se çdo veprim ushtarak i hapur ndaj çdo kufiri ose vije të demarkacionit ushtarak të rënë dakort, pa patur rëndësi se ku ndodh, do ta shpinte botën në prag lufte. Paqja e botës është ruajtur, pavarësisht të gjitha incidenteve të hidhura dhe intrigave të Luftës së Ftohtë, sepse aktualisht kufiri ushtarak i armëpushimit nuk është dhunuar kurrë nga ushtria e kuqe apo nga çdo ushtri tjetër perëndimore. Nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore dhe do të qëndrojë gjithnjë e hapur shpresa e një vendosjeje paqjeje, nëse ajo e kufijve ushtarakë nuk dhunohet me forcë. Rasti jugosllav është një test, i cili mund dhe duhet të përdoret për të qartësuar dhe demonstruar ligjet qeverisëse të politikës sonë. Mbështetja e qeverisë së Titos kundër agresionit të jashtëm ushtarak, do ta bëjë të qartë atë që ka kaq shumë nevojë për t u bërë e tillë - që fuqia ushtarake amerikane nuk është radhitur kundër komunizmit në një kryqëzatë, për të cilën ne e ushqejmë si demokraci dhe si një ekonomi e lirë, por kundër vendosjes së një Perandorie super të zgjeruar ruse në Evropë dhe Azi. Duhet të bëhet e qartë, se ne duhet të kundërshtojmë ideologjinë komuniste me anë të ndihmës së arsimit, ndihmës së ekonomisë, teknologjisë dhe asaj kulturore dhe ne shpresojmë ta bëjmë këtë me anë të këtij shembulli. Por duhet të bëhet njëlloj e qartë, se fuqia jonë ushtarake është llogaritur vetëm për të parandaluar krijimin e një Perandorie të pafundë moskovite, e cila do të sundojë të gjita shtetet e huaja. Dhe duke qenë kështu, nëse Titoja dhe jugosllavët dëshirojnë të jenë komunistë sipas pikëpamjeve të tyre dhe kur ata shprehin interesat e tyre, ne nuk duhet të grindemi me ta. Nëse ata nuk i sulmojnë fqinjët e tyre, deri në pikën që duan të ruajnë pavarësinë e tyre, ne duhet të drejtojmë një lëvizje për të mobilizuar dhe mbështetur të gjithë botën e shteteve të pavarura për t i mbrojtur ato nëse sulmohen.
Ky lajm është publikuar: 08/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›