E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, tregu privat i paralizuar në tre vjet

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se tregu i pensioneve mbetet i pazhvilluar

Skema shtetërore penalizon kontribuuesit me paga të larta, pasi pensioni mesatar zë vetëm 35% të pagës

Të licencuara tashmë prej 3 vitesh, kompanitë private të pensioneve nuk kanë mundur që të sjellin asgjë të re përsa i përket zhvillimit të sistemit të pensioneve në Shqipëri. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ky treg mbetet në nivele të ulëta zhvillimi, duke patur një numër të ulët kontribuuesish. Në total, skema private e pensioneve e përbërë nga tre kompani vlerëson se ka 2 872 kontribuues, me një vlerë totale të fondit të akumuluar prej 32.1 milionë lekësh për vitin që kaloi. AMF, bën të ditur se në këtë treg do të kryhen rregullime të mëtejshme ligjore dhe njëkohësisht, do të merren në konsideratë edhe eksperiencat e ndryshme ndërkombëtare. Skemat private të pensioneve bazohen në një llogaritje të saktë, në bazë të kontributeve dhe investimit që bëjnë kompanitë private në investime me risqe minimale, siç janë letrat me vlerë të qeverisë. Një gjë të tillë aktualisht nuk mundet që ta realizojë skema shtetërore, e cila funksionon në një mënyrë tejet të vjetruar, duke mos u bazuar në diferencat e mëdha që ka midis kontribuuesve. Por kompanitë private nuk mundet që të marrin kontribuues, për shkak të kapitaleve të ulëta që zotërojnë dhe mungesës së një tradite në këtë drejtim. Deri në fund të muajit qershor të këtij viti, parashikohet që numri i kontribuuesve në skemën shtetërore të ketë shkuar në 410 mijë. Këtu nuk përfshihen të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor dhe as kontributet e tjera vullnetare. Ky target ka qenë pjesë edhe e marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar me Qeverinë Shqiptare, që është firmosur së fundmi. Pra, nga rreth 410 mijë që është numri i kontribuuesve në skemat shtetërore të pensioneve, skemat private mundet që të tërheqin vetëm 2 872 kontribuues.

Skema aktuale e pensioneve në Shqipëri është e bazuar në atë që quhet “Financo pensionet e sotme, për të marrë financim nesër”, kur të dalësh në pension. Kjo skemë shtetërore është e bazuar në financimin e pensionistëve aktualë, nga kontributet aktuale. Skema ka një problematikë që lidhet midis asaj që paguan një punonjës për pension dhe asaj që ai merr. Pra, sipas kësaj skeme, nuk ka një lidhje të fortë midis asaj që paguan për pension nga paga jote sot dhe pensionit që do të marrësh ti nesër, por kjo çështje është zgjidhur në ligj, me anë të asaj që quhet “shkalla e zëvendësimit të pensionit”. Ky tregues është nga më të rëndësishmit dhe me anë të tij, është bërë e mundur që të realizohet edhe ruajtja e parametrave midis asaj që kontribuon dhe përfitimit që merr në formën e pensionit. Në vend, llogaritet që mesatarisht të jetë një raport zëvendësimi pagë mesatare-pension mesatar që shkon në 46-47 për qind. Pra, sipas këtij raporti, shpjegohet se pensioni mesatar aktualisht është sa 47 për qind e pagës mesatare në vend. Por këtu jemi duke folur mbi baza mesatare, ndërsa po t'i referohemi dy skajeve, raportit të pensionit me pagën minimale dhe pagën maksimale, kemi rezultate krejt të ndryshme. Pensioni mesatar është sa 75 për qind e pagës minimale, ndërsa pensioni mesatar zë vetëm 35 për qind të grupit të pagave të larta në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›