E Shtunë, 31 Tetor 2026

ESCA: Marrëveshja për Liberalizimin e Vizave nuk zbatohet

E paraqitur si një arritje shumë e madhe nga qeveria shqiptare, Marrëveshja për Liberalizimin e Sistemit Vizave me vendet e Bashkimit Evropian, ka mbetur në letër. Ky nuk është një konstatim vetëm i shqiptarëve që enden çdo ditë dyerve të ambasadave në kërkim të një vize, por i Shërbimit Europian për Aksion Civil (ESCA), një strukturë kjo monitoruese e Bashkimit Evropian. Shërbimi Europian për Aksion Civil, ka publikuar së fundmi një raport në lidhje me ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve midis BE-së dhe vendeve të tjera, ku evidenton midis të tjerave faktin se Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, nuk po funksionon. “Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave midis BE-se dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk po funksionon”, - bëhet e ditur në raportin e Shërbimit Europian për Aksion Civil (ESCA) me qendër në Bruksel. Sipas raportit të kësaj organizate, ekzistojnë shumë barriera që pengojnë lehtësimin e vizave, si dhe dallime të mëdha nga përcaktimi deklarativ i BE-së, se kontaktet e njerëzve të Ballkanit Perëndimor janë të interesit më të lartë.

Gjithashtu, në këtë raport, theksohet se pavarësisht angazhimit të përbashkët për të ulur tarifat dhe numrin e dokumentacionit që duhet të paraqesë një shtetas i këtyre vendeve për të marrë një vizë në një prej vendeve të Bashkimit Evropian, ende përfaqësitë diplomatike janë të prirura të japin sa më pak viza, çka përbën që kërkesa të mos bjerë. Për këto arsye, ESCA propozon liberalizimin e plotë të vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, pasi, sipas raportit të saj, nuk ka dallime midis situatës se kaluar dhe të tanishme në këto vende përsa i përket angazhimit për të zbatuar ligjin, por edhe për të plotësuar detyrimet që lindin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, hyri në fuqi më 1 Janar. Por, raportet e ndryshme të organizatave lokale të këtyre vendeve dhe reagimet e qytetarëve, kanë shprehur në vazhdimësi problemet dhe vështirësitë rreth aplikimit të liberalizimit të ri të vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›