E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, minatorët dhe qeveria e shtatorit

Qeveria e re, e cila do të startojë në shtator, përpos problemeve madhore që ka sot shoqëria shqiptare dhe politikëbërja në përgjithësi, do të përballet me shumë probleme të mbartura prej vitesh. Në sirtarët e ekzekutivit dhe ligjvënësve ndodhen tashmë me qindra kërkesa dhe ankesa nga grupime të caktuara pa zgjidhje, por që kërkojnë zgjidhje. Në këto vite, kemi parë dhe dëgjuar shumë premtime para dhe pas elektorale, kemi kundërshtuar të parealizueshmen, po ashtu kemi përkrahur idetë dhe mendimet novatore. Kemi heshtur dhe folur për shtresat në nevojë, kemi parë të paparën në optikën e reales, e cila jo për të gjithë është e pranueshme dhe e realizueshme në kohë.

Po t‘i referohemi asaj që është thënë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, me të drejtë hamendësohet se të gjitha premtimet e thëna do të realizohen në një kohë rekord, do të ketë një qeveri të re, e cila ka gjasa të korrigjojë gabimet apo mosarritjen e paraardhëses e diktuar kjo nga rrethanat në të cilat ajo do të krijohet. Koalicioni i PD me LSI dhe aleatët e tjerë është i diktuar tashmë të fokusohet në disa çështje të mbetura pezull nën emblemën e integrimit aq shumë të kërkuar nga shqiptarët. Po t‘u referohemi lëvizjeve politike të fundit, gjuhës së butë të Berishës dhe kërkesave të vazhdueshme të LSI-së, nënkuptohet qartë se litari i djeshëm i shtrënguar i PD-së për shumë e shumë arsye do të lëshohet për të tjera arsye. Në këtë kuadër, pasi të formatohet qeveria e re, shpresohet se në rendin e ditës do të jenë temat sociale aq shumë të munguara, si: Statusi i moshës së tretë (pensionistët) korrigjimi i moshës së pensionit për kategoritë e vështira, çështja e ushtarakëve, e të përndjekurve politikë, ndihma për fermerët etj. Por çfarë në fakt është kërkuar gjithë këto vite dhe përse nuk janë realizuar kërkesat jetike, a ka gjasa që qytetarët me të vërtetë të marrin atë që u takon? Kjo pyetje vazhdimisht ka shqetësuar kategoritë në nevojë, të pakënaqurit, ithtarët e ndryshimit dhe mosbesuesit. Në fakt, një gjë është më se e qartë, në këtë situatë të gjithë aktorët dhe faktorët do mësyjnë në dyert e ministrive, të Kuvendit apo të partive.

Pensionistët dhe kategoritë e tjera e kanë të qartë se si duhet kërkuar realizimi i objektivit të tyre, me të vetmin ndryshim se tashmë ata kanë përkrahje të hapur brenda të njëjtit koalicion qeverisës. Dhënia e statusit për ta mbetet në një farë mënyre dhe çelësi i suksesit të qeverisë së re, e cila e ka shumë të qartë se me plotësimin e disa kushteve minimale do të gëzojë reputacionin e ardhshëm të kësaj kategorie votuesish. Nga ana tjetër, ushtarakët si pjesa më e vuajtur e sistemeve ka më se të drejtë të kërkojë dhe rikërkojë të drejtën e tyre të mohuara me vite e vite. Ndërsa njerëzit e nëntokës dhe ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në profesione të vështira do t‘i thellojnë kërkesat e tyre të përsëritura që në fund të marrin maksimumin e asaj që kanë deklaruar. Ata kërkojnë korrigjim të moshës së pensionit, ku përgjegjës nuk mund të jenë vetëm të djathtët në pushtet, por dhe të majtët, të cilët i kanë stimuluar me arnime të ligjeve pa dalë atje ku kërkohet dhe që quhet e drejtë.

Shumë minatorë, pa dashur të përsërisim atë që ka ndodhur, kanë lënë jetën në miniera për shkak të kushteve skandaloze. Askush deri më sot nuk ka dhënë llogari (apo të jetë dënuar), pavarësisht se ka pasur disa lëvizje sporadike për të kontrolluar atë që, në dritë të diellit, ka dalë jashtë kontrollit. Shumë nëna dhe gra janë veshur me të zeza, sepse kanë humbur të afërmit e tyre më të dashur dhe që sot nuk marrin as minimalen për të jetuar. Me dhjetëra të mitur i gjen sot duke kërkuar mbijetesën pa marrë parasysh vdekjen, e cila qëndron si çekan mbi kokat e tyre në masivet e kromit. Familje që ndahen në mëngjes për t‘u bashkuar ose jo në darkë, e që presin me shpresë se e nesërmja do të trokasë më e mirë. Metalurgë dhe ish-metalurgë, të cilët kanë të shtresëzuar në mushkëritë e tyre silikozën vdekjeprurëse dhe që detyrohen të dalin në pension në moshën 65 vjeç. Në të njëjtën kohë, edhe kategoritë e tjera në nevojë do të kërkojnë sot më shumë se kurrë. Parë në këto këndvështrime, qeverisë së re do t‘i duhen shumë përpjekje e angazhime, sepse askush më nuk do t‘u besojë premtimeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›