E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse SHBA duhet të tërhiqet nga Iraku

Edhe përkundër faktit se në Irak pothuajse çdo ditë përsëritet qarku i pafund i sulmeve me bomba, nëpër tregje e xhami, e kur çdo sulm shton urinë për hakmarrje, gjërat në këtë vend ngadalë po përmirësohen. Muajin e kaluar, numri i vdekjeve të dhunshme në Irak ra në 275, nga 437 që ishin në qershor. Dhe kjo është një shenjë e mirë për situatën e sigurisë, pas tërheqjes së forcave amerikane nga qendrat urbane në Irak.

Në Bagdad dhuna ka rënë deri në atë pikë sa qeveria e Irakut, forcat e së cilës tani janë përgjegjëse për situatën e sigurisë, njoftoi këtë javë se gjatë 40 ditëve të ardhshme ajo do të shembë muret me tela gjemborë, që për vite me radhë kanë mbajtur të ndarë kryeqytetin e Irakut, duke i shndërruar në fortifikata të vërteta dhe duke i ndarë lagjet me popullatë shiite dhe sunite. Me nivelin e dhunës që është reduktuar deri në pikën që mund të menaxhohet nga forcat irakiane të sigurisë dhe me reduktimin dhunës ndërfetare, gjërat në Irak duket se janë duke lëvizur në drejtimin e duhur.

E nëse është kështu, atëherë pse ushtarët amerikanë do të duhej të qëndronin deri në vitin 2011, në këtë luftë që Amerikës po i kushton 12 miliardë dollarë çdo muaj dhe në kuadër të së cilës ushtria amerikane ka humbur gati 4500 pjesëtarë, si dhe ka pasur mbi 30 mijë të plagosur? Kjo pyetje nuk po shtrohet vetëm nga kundërshtarët liberalë të luftës. Ajo po shtrohet edhe nga një numër gjithnjë e më i madh i zyrtarëve të lartë në Uashington dhe komandantët e ushtrisë amerikane në Irak.

Në shkresën e brendshme, të hartuar nga koloneli Timoti Ris, këshilltar i komandës ushtarake në Irak, pjesë të së cilës u publikuan muajin e kaluar në gazetën "New York Times", ai është mjaft i qartë. Ai shkruante: "Ka ardhur koha që SHBA-ja të shpallë fitoren në Irak dhe të kthejë ushtarët e saj në shtëpi". Thelbi i argumenteve të kolonelit është se, prania e vazhduar ushtarake e SHBA-së nuk mund të kontribuojë më për asgjë, as për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve thelbësore për irakianët, e nuk mund t‘u kontribuojë po ashtu as përpjekjeve të qeverisë së dominuar nga shiitët, nën kryesimin e Nuri Al Malikit, për t‘u pajtuar me sunitët dhe kurdët.

Në të vërtetë, ka gjithnjë e më shumë shenja se qeveria e Irakut nuk është më nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e forcave amerikane, të cilat e ndihmuan të ngrihet në pushtet. Ris theksonte se po vërehet një "ftohtësi" gjithnjë e më e theksuar e komandantëve irakianë kundrejt kolegëve të tyre amerikanë, pas 30 qershorit, datë kur edhe u kompletua tërheqja e forcave amerikane nga qytetet dhe qendrat urbane në Irak. Pas kësaj date, personat e dyshuar, të arrestuar nga amerikanët, u liruan nga irakianët. Dhe qeveria e Irakut haptazi injoroi ofertën e zv/presidentit amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës së tij të fundit në Bagdad, për të ndihmuar me ndërmjetësim në konfliktin e qeverisë me kurdët dhe sunitët.

Marrëdhëniet mes ushtarëve irakianë dhe atyre amerikanë, koloneli Ris i krahasoi me "përpjekjet e babait për të mësuar djalin e tij të ngasë një biçikletë pa rrota", duke theksuar: "Dora jonë në ndenjësen e biçikletës së irakianëve po i mban ata prapa dhe po nxit pakënaqësi. Ne duhet ta lëshojmë atë, para se të rrëzohemi të dy". Argumenti i Ris është i thjeshtë: Përkundër 130 mijë ushtarëve të vendosur në Irak, SHBA-ja ka humbur të gjithë ndikimin e vet strategjik në qeverinë e Kryeministrit Al Maliki dhe me të, madje edhe aftësinë për të ushtruar ndikim në epilogun në Irak.

Pra, pse duhet të vazhdojë kjo zvarritje? Megjithatë, shpallja e fitores kërkon përcaktimin e fjalës "fitore". Si të koordinohet tërheqja në atë mënyrë, që nga populli amerikan ajo të mos vlerësohet si e ngutshme dhe si humbje e kotë e jetëve të njerëzve? Ris argumenton se shtimi i numrit të ushtarëve amerikanë në vitin 2007 dhe politika e angazhimit të rreth 100 mijë ish-kryengritësve sunitë ka izoluar ekstremistët e inspiruar nga Al-Qaida, shumë prej tyre nga shtetet e tjera, fanatikë, të cilët e konsiderojnë veten martirë dhe të etur për të vrarë ushtarë amerikanë. Ai gjithashtu thekson se përkundër korrupsionit, nepotizmit dhe joefikasitetit në radhët e qeverisë së Irakut, forcat e veta të armatosura kanë filluar të vendosin paksa rregull. Nuk mund të mohohet fakti se ndërhyrja amerikane në Irak, në vitin 2003, ka nxitur kaos në Irak, me urrejtjen ndërfetare, ndikimin e Iranit dhe armiqësitë shumëvjeçare për prona, që prodhuan një stuhi të vërtetë të gjakderdhjes.

Por, muajin e kaluar, kur ushtarët amerikanë filluan të kthehen në bazat e tyre gjigante, ata i dhanë fund rolit të tyre si aktor dominues në Irak. Dhe nëse SHBA-ja nuk mund të ndikojë më në rrjedhën e ngjarjeve në Irak, atëherë ç‘kuptim ka që ushtarët të qëndrojnë në bazat e tyre dhe të hanë pica?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›