Pensionistët protestë përpara Kryeministrisë, kërkojnë rritje të pensioneve

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Përpara godinës së Kryeministrisë dhjetëra pensionistë protestuan sot për pensionet e ulëta.
Pensionistët kërkuan rritje të pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik.
“Me pensionet tona po humbasim integritetin. Të vendoset minimumi jetik”, tha një pensionist për mediet.
Një tjetër pensionist u shpreh se “kemi dalë në protestë sepse ka mbi 20 vite që po protestojmë për të marrë të drejtat tona, indeksimin e pensioneve”.
“Kam qenë minator në Memaliaj, kam punuar 25 vjet dhe marr një pension qesharak 200 mijë lekë. Prandaj ne kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensionit, ku minimali duhet të jetë 200 mijë lekë”, theksoi një tjetër pensionist.
Pensionistët në protestë u mbështetën edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Arlind Qorri, kreu i “Lëvizjes Bashkë” tha se “qeveria justifikohet se për ju pensionistët nuk ka para. E njëjta qeveri një ditë tjetër mburret se PBB është dyfishuar në këto 11 vjet. Atëherë do duhej që pensionet tuaja të ishin dyfishuar, por ata kujtohen vetëm për indeksimin mjeran”.
Në përfundim të protestës pensionistët deklaruan se do të kthehen sërish për të protestuar deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
1 nga 8/k.s/