Pepa: Ju rrëfej pazaret e Ndokës
Z. Pepa, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka kërkuar shkarkimin tuaj nga posti i drejtorit të QSUT-së, cilat janë motivet e shkarkimit?
Nuk jam shkarkuar, autoriteti zyrtar që më shkarkon mua, sipas ligjeve të shtetit, është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z, Sali Berisha, i cili edhe më ka emëruar. Ministri i Shëndetësisë. Nard Ndoka, për arsye të pozicionimit tim politik me Partinë reale Demokristiane të Shqipërisë, e cila është partia që kishte kongresin më 6 maj dhe që ka zgjedhur kryetar dr. Anton Kurakuqin, ka lëshuar një urdhër të pabazuar ligjërisht, një urdhër arrogant, një urdhër kapriçoz. Institucioni i QSUT-së nuk i pranon këto lojëra të pamoralshme dhe lojëra meskine, lojëra pa nivel dhe të pabazuara ligjërisht, inatçore, pa fe kulture minimale zyrtare dhe njerëzore. Pra, ai ka lëshuar urdhër që unë pezullohem kur autoriteti i vetëm që më shkarkon/ pezullon është Kryeministri i Shqipërisë. Unë, n.q.s do të ishte urdhri i kryeministrit do ta pranoja, por ka edhe disa procedura që duhet të ndiqen. E vetmja arsye e tij është pozicionimi im i qartë politik. Pra, unë qartësisht, politikisht, e kam thënë edhe herë të tjera, nuk pozicionohem në politikë me eksponentë të majtë që z. Ndoka ka mbledhur rreth vetes. Urdhri është i tillë: pezullohet Mati Pepa nga pozicioni i drejtorit të QSUT-së deri në momentin e miratimit të propozimit për shkarkimin e tij nga kryeministri. Shih çfarë i thotë ai kryeministrit, i thotë se unë po e pezulloj nga detyra, ti në daç shkarkoje në daç mos e shkarko. Pra urdhëron edhe kryeministrin. Unë kam bërë një ankim administrativ sepse shteti ka ligje, QSUT-ja nuk është e imja, nuk është as e Nardit, por e shtetit. Unë jam zyrtar i vjetër shtetëror dhe respektoj ligjet e këtij shteti dhe iu bindem ligjeve të këtij shteti. Kjo është edhe arsyeja e dytë ndoshta që ai ngutet të bëjë vendime të tilla, sepse ai nuk e njeh shtetin, nuk i njeh as ligjet. Ai njeh vetëm rrugën, e di që çdo gjë zgjidhet në rrugë. Ai nuk e kupton se çfarë është shteti, nuk ka arsye ta kuptojë se çfarë është kjo. Pra, ai falsifikon tek partia, shkel kompetencat tek partia, shkel kompetencat edhe këtu për kapriçot e tij politike. Tani, çfarë ka shkelur ai në këtë urdhër dhe pse unë nuk e zbatoj urdhrin e tij dhe vazhdoj të jem në detyrë dhe do të vazhdoj të jem në detyrë derisa kryeministri të prononcohet? N.q.s se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë më thotë se, z. Pepa hajde të ballafaqohemi, unë personalisht jam i hapur të ballafaqohem me të gjithë personat për punën që unë kam bërë. Jam i hapur për konceptin që kam futur në menaxhimin e kësaj qendre, për nivelin ku është marrë dhe ku është çuar, për pengesat e herëpashershme që kam pasur nga ministri i shëndetësisë dhe ministria e Shëndetësisë. Unë kam 4 muaj që çoj letra në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrit të Shëndetësisë që të marrë masa, sepse mund të vihemi në një situatë të vështirë për barnat dhe sidomos për personat me sëmundje të veçanta. Sepse, vitin që shkoi u vumë në një situatë të tillë, pasi nuk e zgjidhi ministria, e zgjidhëm vetë, duke bërë edhe shkelje administrative, duke marrë përsipër dhe përgjegjësi për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Pas 4 muajsh ai më kthen një përgjigje me dy rreshta jo nga vetë ai, por nga një zyrtar jo i nivelit të lartë. Këtu është përgjegjësia e vet personale dhe institucionale dhe është fatkeqësi që ai merr drejtimin e atij institucioni.
Në fakt, ministri Nard Ndoka e ka komentuar në mendia shkarkimin tuaj për arsye të keqmenaxhimit në QSUT, duke e lidhur ketë edhe me situatën e krijuar kohët e fundit në QSUT...
Z. Ndoka nuk është i aftë të vlerësojë menaxhimin në QSUT. Këtë e them dhe vihem në ballafaqim me z. Ndoka, me përfaqësuesit e mjekëve që nuk është e vërtetë ajo që thotë z. Ndoka. Unë i kam lexuar kërkesat e mjekëve dhe ata nuk kanë patur asnjë vërejtje për menaxhimin e përgjithshëm. Marrëdhëniet e mia me mjekët, pavarësisht diferencave për arsye të ndryshme që dihen, kanë qenë administrativisht shumë korrekte. Nuk ka në letrën e profesariatit asgjë për menaxhimin e QSUT-së, por i gjithë problemi ka të bëjë me politikat shëndetësore. Politikat shëndetësore nuk drejtohen nga unë, pasi jam thjesht jam menaxher, nuk jam politikëbërës. Menaxhimin e qendrës e kam bërë shumë mirë. Ndoka nuk arrin dot t’i kapë konceptet e menaxhimit, le të bëjë ç’të dojë, nuk i arrin dot. Ai është i vonë në kapjen e konceptit të menaxhimit. Tani, në lidhje me urdhrin i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës e Shqipërisë, neni 102, kryeministri, në zbatim procesve të tij nxjerr urdhra dhe unë jam emëruar në detyrë sipas urdhrit të kryeministrit Sali Berisha nr. 36, datë 06.04.2007 për lirimin dhe emërimin në detyrë. Kështu që, vetëm një urdhër i Kryeministrit të Shqipërisë mund të shkarkonte nga detyra drejtorin e QSUT-së me Kushtetutë. Pra ai bie ndesh me Kushtetutën.
Neni 116 thotë: aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme kur aktet nxirren nga një organ administrativ me kapërcim të kompetencave të tij ligjore. Kështu, ministri Nard Ndoka ka nxjerrë një urdhër që nuk është në kompetencë të tij, por të kryeministrit. Për statusin e spitalit pika 4 thotë, drejtori i përgjithshem i QSUT-së emërohet nga kryeministri, në bazë të propozimit të ministrit të Shëndetësisë dhe sipas ligjit nr. 84,85, datë 12.05.1999. Kodi i procedurës administrative të Republikës së Shqipërisë thotë se, vetëm një urdhër i kryeministrit mund të më shkarkojë mua nga detyra, VKM, nr. 173. Në bazë të ligjit, lirimi nga detyra duhet të jetë i motivuar, pasi të jenë dëgjuar edhe pretendimet e personit. Por ai ka nisur një urdhër kur unë nuk kam qenë fare këtu dhe mua nuk më është krijuar mundësia të shpreh pretendimet e mia. Pra, n.q.s ai e ka kompetencë. Por, ai as kryeministrit nuk i ka lënë gjë. Çfarë i ka lënë kryeministri ai? Kryeministrit i çon propozimin dhe këtej thotë unë e pezulloj. Kryeministri, nëse e gjykon se unë e kam drejtuar keq këtë institucion më pezullon dhe unë jam shumë i nderuar. Unë nuk e liroj zyrën me urdhër të ministrit.
Cila është gjendja në spital, për sa i përket bazës materiale, ilaçeve, reagentëve?
Reagentët janë zgjidhur, kjo situtatë kështu do të vazhdojë dhe të gjithë e dimë, sepse në kushtet e financimeve ka disa ilaçe të cilat do vazhdojnë të mungojnë. Por, këtu kemi bërë një planifikim, sepse është hera e parë që ne bëjmë planifikimin dhe tani fillojnë të jepen efektet e administrimit. Ne kemi planifikuar që materialet bazë të mos mungojnë asnjëherë. I kemi çuar në ministri që prej 4 muajsh. Ka 4 muaj që nuk kanë filluar proceduart e tenderit. Na akuzojnë se nuk jemi të zotë të bëjmë tendera, për arsye se nuk kemi marrë në punë ata që thotë ministri dhe kemi filluar 12 procedura, ndërkohë që ministri nuk ka filluar asnjë procedurë tenderi. Sepse, kështu akuzon ai, që nuk është konsumuar fondi i viti që shkoi, fondi i blerjes së pajisjeve për vitin që shkoi, kur e ai e dn shumë mirë se personat që ai vetë i ka ngarkuar dhe i ka futur këtu interesoheshin për të sjellë pajisje kineze dhe unë nuk mund të lejoja të futeshin pajisje kineze në QSUT, të vitit 2001. S’kam gjë kundër Kinës, por dihet se prodhimet kineze nuk janë prodhim i mirë.
Çfarë marrëdhëniesh keni ju me ministrin Nard Ndoka?
Kurrfarë marrëdhëniesh. Unë ka kohë që nuk komunikoj me ministrin, ka 4 muaj që komunikoj me ndërmjetës me të. Ka 6 muaj që nuk komunikoj fare me të, pavarësisht se jam zyrtar korrekt dhe pavarësisht këtyre kam mbajtur marrëdhënie shumë korrekte zyrtare. Kam qenë zyrtari më korrekt në marrëdhëniet zyrtare, pavarësisht se ai, asnjëherë, as pakteve zyrtare të bëra me të nuk iu ka qëndruar.
Ju keni pasur edhe më përpara urdhër të ministrit Nard Ndoka për shkarkimin tuaj, kur ka ndodhur kjo?
Ka kohë që flitet, mua nuk më është komunikuar gjë. As tani nuk më është komunikuar gjë, vetëm më ka ardhur shkresë. Me 12.05.08 ka ardhur kjo shkresë, si çdo shkresë tjetër e zakonshme. Unë e kam parë shkresën dhe i kam dhënë një drejtim si çdo shkrese të zakonshme. Drejtoreshës juridike i kam thenë dua një interpretim juridik dhe ajo më ka bërë interpretimin juridik që unë ua bëra të ditur.
Kurse ai, që në muajin e tretë të punës, çdo javë ose çdo ditë dilnin fjalë nga ministria që e hoqi ose e pezulloi drejtorin. Kështu i kam filluar ditët e punës në këtë institucion, si i pezulluar. Këtë e bënte vetëm për të më demotivuar njerëzit që punonin, për të mos më dëgjuar mua.