E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma e PS për minatorët, ministri Barka e kundërshton

 

Mazhoranca e hedh poshtë nismën pa kaluar ende për shqyrtim në Kuvend

TIRANË- Shumica e djathtë rrëzon që në komisione, nismën ligjore të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për trajtimin e veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë. Komisioni parlamentar i Punës, Shëndetësisë dhe Shanseve të Barabarta, pavarësisht insistimit të opozitës, nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim propozimin e socialistëve, që masa e përfitimit për këtë kategori punonjësish nuk mund të jetë më pak se pensioni bazë në qytet. Anëtarët e djathtë të komisionit kanë marrë në konsideratë mendimet e dhëna nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, e cila nëpërmjet një materiali shkresor, vlerëson se rritja e pensioneve për minatorët duhet bërë e diferencuar dhe jo e njëtrajtshme për të gjitha kategoritë. Duke shpjeguar ecurinë e trajtimit financiar të minatorëve që nga viti 2000, kur dhe ka dalë ligji i parë për pensionet e minatorëve, Ministria e Punës shprehet se me rritjet që i është bërë këtyre pensioneve gjatë tre viteve të fundit, masa e pensionit minimal ka arritur në masën e 60 mijë lekëve të vjetra, ndërsa pensioni bazë në shifrat e 86 mijë lekëve po të vjetra. Duke marrë në konsideratë këto nivele pensionesh, kjo ministri shprehet se masa e përfitimit duhet të rritet në përgjithësi, por duke veçuar se ajo duhet të jetë e diferencuar, duke i dhënë prioritet pensioneve minimale. Megjithatë ajo vlerëson se për këtë çështje duhet të vendosë Këshilli i Ministrave, pasi të jetë shprehur më parë Ministria e Financave. Nisur nga këto sugjerime, deputetët e mazhorancës vendosën që ta kalojnë për diskutim në Komisionin e Ekonomisë, duke e konsideruar atë si komisionin përgjegjës, për shkak se ka një faturë financiare që duhet të përballohet. Por kjo ka hasur në kundërshtimin e deputetëve opozitarë, të cilët kanë kërkuar që projektligji në fjalë të kalojë në komision dhe t'i lihet seancës plenare e drejta për ta rrëzuar ose jo atë. Aktualisht, në skemën e pensioneve të veçanta janë rreth 5100 minatorë. PS e ndërmori këtë nismë, pas përsëritjeve të vazhdueshme të aksidenteve në miniera për shkak të kushteve të rënda të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›