Konsumi i 200 mijë familjeve të varfëra ka rënë me 45-48% gjatë 4 muajve
Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, niveli i konsumit si vëllim krahasuar me vitin e shkuar ka rënë me 18 % sipas të dhënave zyrtare, duke reflektuar qartazi rritjen e çmimeve dhe të kostos së jetesës. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, kjo rënie konsumi ka prekur vetëm familjet shqiptare që jetojnë në varfëri dhe familjet shqiptare në kufirin e varfërisë, ndërsa familjet e tjera, përafërsisht kanë ruajtur të njëjtin nivel të konsumit. Po të shohësh konsumin e raportuar dhe po ta krahasosh me shportën e mallrave që paraqet Instituti i Statistikave vihet re qartë që gjatë këtyre muajve familjet shqiptare kanë konsumuar 18 për qind më pak se vitin e shkuar. Kryeekonomisti i Bankës Botërore tha pak ditë më parë se, rritja e çmimeve rrit edhe numrin e familjeve që bien në varfëri. Kjo është vërtetuar tashmë nëpërmjet të dhënave të konsumit. Duke qenë se konsumi ka rënë me 18 për qind dhe e tërë kjo është përballuar nga familjet e varfëra dhe ato në kufi të varfërisë, atëherë del se këto familje e kanë ulur konsumin e tyre të mallrave kryesore të shportës me rreth 45 deri në 48 për qind të tyre. Shifra është alarmante dhe gjasat janë që kjo shtresë të jetë duke përballuar me vështirësi këtë kosto të rritur të jetës. Të dhënat zyrtare thonë se, numri i familjeve shqiptare që jetojnë në varfëri dhe në kufirin e varfërisë është rreth 200 mijë familje. Këto familje janë të shpërndara në të gjitë vendin, por zona bregdetare është ajo që është më pak e populluar nga këto familje. Pjesën më të madhe e zënë krahina të tjera. Qeveria shqiptare ka bërë të qartë se po përpiqet të gjejë mundësi të ndalë presionin në rritje të çmimeve dhe të ndalë inflacionin, i cili muajin e shkuar arriti në 4.2 për qind, ndërkohë që në mars ai ishte 4.6 për qind. Këto shifra të inflacionit e kanë tejkaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë. Ministria e Financave ka thënë se do të kompensojë plotësisht rritjen e çmimeve, duke ndërhyrë te pagat dhe te pensionet në qershor të këtij viti, kur në parlamnet të shkojë për rishikim buxheti. Në të vërtetë qeveria kishte premtuar që në krye të viti se do të kishte rritje të pagave dhe të pensioneve si dy vitet e shkuara, ndërsa tashmë kjo gjë po quhet kompensim i çmimeve dhe kostos së rritur të jetës. Ndërhyrja e qeverisë pritet të marrë rreth pesëdhjetë milionë dollarë si paga dhe pensione të shtuara, ndërkohë që familjet e tjera që nuk kanë të punësuar në sektorin buxhetor apo nuk kanë pensionistë nuk do të përfitojnë. Ndërhyrje të tjera për të ndihmuar në uljen e çmimeve qeveria ka thënë se do të bëhen në lëmin fiskal dhe monetar, por ende nuk është bërë e qartë se ku do të konsistojnë këto ndërhyrje.