E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, maskat tentojnë të grabisin, plagosin bashkëshortët, arrestohet një 27-vjeçar

PEQIN – Policia e Peqinit arrestoi një 27-vjeçar, si të dyshuar për grabitjen e një banese dhe plagosjen e një çifti bashkëshortësh, në fshatin Çelhakaj të Peqinit. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Altin Hasku, të cilit iu sekuestrua edhe një armë tip kallashnikov në banesë.

Hasku ka mohuar të jetë implikuar në ngjarjen e rëndë, ku u plagosën Haki dhe Farie Beqiri, pasi tentuan të ndalnin grabitësin që kishin hyrë në banesën e tyre..

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Çelhakaj të Komunës së Gjocajt. Sipas policisë së Elbasanit, tre persona të maskuar dhe të armatosur me automatikë kanë hyrë në banesën e çiftit Haki e Farie Beqiri dhe kanë tentuar të grabisnin sende me vlerë dhe para.

E ndërsa çifti ka reaguar duke bërë rezistencë, autorët e krimit kanë ushtruar mbi ta dhunë barbare. Sipas policisë lokale, grabitësit i kanë qëlluar me mjete të forta në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit, duke u shkaktuar bashkëshortëve Haki e Farie Beqiri, përkatësisht 57 dhe 52 vjeç, dëmtime serioze.

Pas sinjalizimit për ngjarjen, blutë kanë shkuar në fshatin Çelhanaj dhe kanë transportuar për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit dy të plagosurit. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, Farie Beqiri është dërguar në Spitalin Ushtarak ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje kome.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›