Peqin në “Via Egnatia” nis rrugëtimin “Miqësia dhe Paqja”
Fondacioni i titulluar “Via Egnatia” i përbërë nga turistë të vendeve të Europës, por edhe nga Amerika, kanë ndaluar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Peqinit. Të përbërë nga 35 veta, anëtarët e këtij fondacioni të ardhur nga Hollanda, Greqia, Amerika, Rumania, Maqedonia, Bullgaria, etj, kanë ngritur çadrat pikërisht brenda kalasë së lashtë të këtij qyteti. Fondacioni “Via Egnatia” është themeluar në vitin 2007 me objektivin për të sjellë një jetë të re në "Via Egnatia." Përfaqësuesit e këtij fondacioni janë pritur nga kreu i bashkisë së Peqinit Ilir Rrushaj, si edhe nënprefekti Sokol Elezi, të cilët në këtë kuadër kanë organizuar edhe një koncert me pjesëmarrjen e artistëve të Ansamblit të Qendrës Kulturore të qytetit të Peqinit. Përfaqësues të fondacionit kanë vallëzuar bashkë me vallëtarët e qytetit këngë të ndryshme të Shqipërisë së mesme. Koordinatorja e këtij fondacioni Marietta Van Attekum me origjinë Hollandeze tha se: “ të realizosh udhëtime të tilla do të thotë të shkëmbesh kulturën mes vendeve."Via Egnatia", është si një simbol për komunikim në çdo kuptim dhe në të gjitha nivelet, qëllimi i saj final është miqësia dhe paqja." Në këtë udhëtim anëtarët e ekspeditës do të bëjnë kërkime, do të zhvillojnë intervista dhe do të mbledhin materiale për një libër dhe film rreth “Via Egnatia”. Pikërisht ditën e sotme, grupi i përbërë nga 35 të huaj nga vende të ndryshme të Europës, por edhe Amerikës, do të drejtohen për në urën e vjetër që lidhte rrugën Egnatia pa hyrë në Librazhd, e më pas drejt Greqisë, pikërisht në Selanik.
Rruga Egnatia
Via Egnatia si një nga arteriet më të rëndësishme të botës antike që lidhte perëndimin me lindjen, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të ndryshëm. Rruga mori emrin e realizuesit të kësaj vepre gjigande të antikitetit, i cili ishte gjykatësi romak në Selanik i quajtur Cnaeus Egnatius, i biri i Caius prokonsull në Selanik. Pra, u ndërtua nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare gjatë mësymjeve të tyre në Hiri, Maqedoni dhe Greqi. Është e gjatë 535 milje dhe e gjerë 30 këmbë. Kjo rrugë u ndërtua me gurë dhe shërbente edhe për transport udhëtarësh dhe mallrash. Përgjatë saj kishte sheshe dhe vendpushime të ngjashme me stacionet e sotme. Burimi më i besuar deri me sot mbi këtë rrugë është itinerari i Bordosë, që është shkruar nga një murg i panjohur në vitin 333 e.s gjatë kthimit te tij nga Jeruzalemi. Kjo rrugë që kalon edhe nëpër Peqin, e Elbasan, zë fill në Durrës me dy degëzime, njëra të shpie në Apoloni dhe dega tjetër vijon, Ura e Dajlanit-Shkëmbi i Kavajës-Kavajë, kalon lumin e Darit mbi një urë-Rani i Gores-Bishti i Zhurit-Peqin. Nuk ka shenja për stacione të mundëshme nga Durrësi deri në Peqin. Nga Peqini deri në Elbasan ka vetëm nje stacion i quajtur Add Quintum, i cili ndodhet në fshatin Bradashesh. Më pas kjo rrugë shtrihet në Elbasan- Mengël-Labinot-Fushë, Mirakë (stacioni Genesis), kalon në anën tjetër të Shkumbinit dhe njëkohësisht i shmanget bregut të lumit duke u ngjitur nëpër male - Babje (stacioni Ad Dianam- Tempulli i Dianës), Spathare- Dardhë- Gurrat e Zeza- Qukës - kalon sërish lumin Shkumbin- Fusha e Domosdovës-Qafë- Thanë e më tej në Strugë- Ohër- Manastir (sot Bitola, Maqedoni), Selanik (Greqi) dhe vijon deri në Stamboll e përtej. Degëzimi i Apolonisë, bashkohet me pjesën kryesore pikërisht në qytetin e Peqinit (Klodiana antike). Një arterie tjetër e kësaj rruge pasi përshkonte Korgën dhe Beratin, futej në zonën e Dumresë (Belësh-Shalës Cerrik) dhe bashkohej me magjistralin kryesor pikërisht në lumin Shkumbin, ku ka qenë ndërtuar edhe një urë, bazamentet e së cilës, ndonëse të rrënuara, ruhen ende në shtratin e këtij lumi dhe pikërisht në fshatin Topçias ose ku bashkohet derdhja e përroit të Zaranikës me lumin e Shkumbinit. Nëndegëzime apo rrugë sekondare kjo rrugë ka pasur edhe në zona të tjera të Elbasanit.
...