E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora e gatshmë të presë jahtet turistike të huaja për në brigjet e rivierës

Në pikën kufitare të portit të Vlorës, aplikohen procedura të përshpejtuara për mjetet lundruese turistike të huaja, që ankorohen përgjatë bregdetit. Drejtori i Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit, për Qarkun e Vlorës, drejtues Myzafer Elezi, tha se, “procedurat zgjasin mesatarisht 3-4 minuta, aq sa është e nevojshme për të rregjistruar në sistemin TIMS, mjetin dhe të dhënat personale të shtetasit të huaj”. “Mjeti lundrues turistik, jaht apo cdo lloj tjetër, paraqitet fillimisht në pikën kufitare të portit të Vlorës, ku, kryhet praktika e rregjistrimit, e cila përfundon brenda një kohe shumë të shkurtër”, thotë Elezi. Ai sqaron se, në këto procedura përfshihet edhe deklarimi i kohës së qëndrimit dhe, më pas, mjeti lejohet të lundrojë për në destinacionin e vet, siç mund të jetë porti i jahteve, në Orikum, apo të ankorohet në kalatat e portit të Vlorës. E njëjta praktikë ndiqet edhe për kroçierat, që ankorohen në portin e Vlorës, të cilat, gjithashtu, trajtohen me procedurë të përshpejtuar. Por, Elezi, nuk përjashton edhe rastet kur, në gjirin detar të Vlorës, hyjnë më shumë se 3-4 mjete lundruese turistike, të cilat kanë si destinacion portin e jahteve në Orikum. Në kushte të tilla, në bashkëpunim me autoritetet e tjera portuale, dogana dhe kapiteneria, caktohet një personel i posaçëm që kryhen procedurat pranë portit, ku mjetet kanë destinacionin. Kjo ka ndodhur gjatë sezonit turistik veror 2008, kur, në portin e jahteve u organizuan dy regata, me itinerar Orikum-Itali, në të cilat morën pjesë disa dhjetra jahte e veliera italiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›