Pukë, gjendet vajza e mbytur në lumë
Marjana Pjetërgjini, 17-vjeç, rrëshqiti nga ura dhe u mbyt në lumë, kur kthehej me të fejuarin nga një vizitë
Pukë-Pas shumë orë kërkimesh dje është gjetur trupi i pajetë i 17-vjeçares që u mbyt në ujërat e lumit në fshatin Lumbardhë të Fierzës. Vajza, humbi jetën, kur duke kaluar në një urë mbi lumin e rrëmbyeshëm, i rrëshqiti këmba dhe e përfshiu rrjedha. "Kufoma u gjet gjatë mesditës, pas shumë orë kërkimesh",- thanë dje burimet policore. Sipas tyre, trupi i Marjana Pjetërgjinit u gjet rreth 8 kilometër më poshtë vendit ku kishte rënë. Në kërkimin e trupit, pas sinjalizimit të policisë gjatë mëngjesit të djeshëm u angazhuan edhe polumbarët, të thërritur në ndihmë. Mësohet se kërkimi ishte i vështirë, pasi lumi ishte fryrë, si pasojë e reshjeve të rëna së fundi dhe ishte shumë i rrëmbyeshëm. Ngjarja e rëndë, ndodhi në orët e vona të së dielës, kur 17-vjeçarja, së bashku me të fejuarin e saj, Eduart Prendi, nga Kalivari i Pukës ishin duke u kthyer tek njerëzit e të fejuarit për festën e Ujit të Bekuar. Sipas djalit, ata, sapo kishin përfunduar vizitën tek daja e tij në fshatin, Kryezi. Gjatë kthimit për në shtëpinë e vajzës, në fshatin Lumbardhë, të komunës Qafë Mali në Fierzë, atyre u është dashur të kalojnë mbi një urë të vogël, rreth 10 metër, e ndërtuar me mjete rrethanore nga vetë banorët e zonës. Fryrja e lumit nga shkrirja e dëborës dhe arritja e ujit në nivelin e urës prej dërrase, madje sipas policisë, edhe sipër saj, ka sjellë vështirësi për kalimin e të rinjve. Aty mësohet se 17-vjeçarja ka rrëshqitur dhe ka rënë në lumë, duke u përfshirë nga rrjedha e tij. I fejuari i saj ka kërkuar ndihmë me celular, ka ecur rreth 700 m bregut të lumit dhe më pas është futur dhe në ujë në përpjekje për ta shpëtuar, madje ka notuar për rreth 300 metër por pa mundur ta shpëtojë vajzën. Policia e sinjalizuar ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por ka qenë shumë errësirë dhe kërkimi ka qenë i pamundur, ndonëse të afërmit nuk kanë reshtur së kërkuari. Trupi i vajzës u gjet vetëm mesditën e djeshme. A.Dushi