E Diel, 1 Nëntor 2026

Për 15 ditë u sulmuan 32 punëtorë të KEK-ut

KEK-u njoftoi sot opinionin publik që numri i sulmeve ndaj punëtorëve të KEK-ut është shtuar ndjeshëm rritur ndjeshëm në tërë territorin e Kosovës.

Vetëm gjatë 15 ditëve të fundit të muajit shkurt, janë sulmuar dhe janë rrahur 32 punëtorë të korporatës gjatë kryerjes së detyrave të tyre, 20 prej të cilëve ishin duke i kryer detyrat e tyre në distriktin e Prishtinës.

Disa prej punëtorëve të sulmuar kanë pësuar lëndime serioze, të cilat do t’iu shkaktojnë atyre probleme në të ardhmen. Këto akte të dhunës janë të papranueshme dhe ato pamundësojnë KEK-un për të ofruar shërbime për konsumatorët.

KEK-u dënon fuqishëm dhunën ndaj punëtorëve të saj dhe kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë që të merren me secilin sulmues, në mënyrë që ata të marrin dënimin e merituar. Askush nuk ka të drejtë të krijojë një ambient ku konsumatorët që refuzojnë të paguajnë faturat e tyre apo që keqpërdorin energjinë të ndjehen sikur kanë mbrojtje publike për dhunën ndaj punëtorëve të KEK-ut.

KEK-ut duhet t’i lejohet qasja e nevojshme për të siguruar furnizim me energji elektrike, shpërndarje të faturave dhe arkëtim të pagesave. Të gjitha grupet e interesit, si shoqëria civile, mediat dhe partitë politike duhet ta ndihmojnë KEK-un në kryerjen e këtyre detyrave, e jo ta bëjnë të kundërtën. Energjia elektrike është jetike për qytetarët e vendit dhe për zhvillimin e Kosovës, dhe KEK-u ka punuar shumë për përmirësimin si të furnizimit të bollshëm me energji elektrike, ashtu edhe furnizimit cilësor. KEK-u kërkon nga të gjithë qytetarët që të luajë rolin e tyre në denoncimin e dhunës kundër punëtorëve të KEK-ut./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›