Tetë zyrtarë shqiptarë arrestohen për korrupsion

Dy inspektorë të qarkullimit rrugor të Drejtorisë së Policisë së Lezhës u arrestuan nga kolegët e tyre në flagrancë, pasi në këmbim të 5 mijë lekëve i rikthyen dokumentet e automjetit një drejtuesi që kishte thyer rregullat e qarkullimit rrugor.
Haki Xhixha, 49 vjeç, dhe Naim Dani, 45 vjeç, ishin vënë në përgjim prej Prokurorisë së Rrethit, pasi dyshoheshin për mitmarrje.
Ndërkohë, gjate një operacioni të koduar “Zhdoganimi i rremë”, u prangosën shefi i pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, Arben Sinani, 44 vjeç, Adriatik Selmani, 39 vjeç, kontrollor, dhe Artan Tafa, 37 vjeç, nënoficer në Forcat e Armatosura. Ata u prangosën, pasi përgjimet e kryera ndaj tyre u siguruan në Gjykatën e Tiranës, që e konsideroi të ligjshëm arrestimin e tyre, njofton TCH.
Këta tre të arrestuar mundësonin plotësimin elektronik të hyrje-daljeve fiktive të kundërligjshme të automjeteve në Muriqan, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, duke përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme para prej qytetarëve.
Edhe policia e Vlorës lajmëroi arrestimin e Gazmir Bundos, shef i higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, inspektorin e tij, Pandeli Bilbili, si dhe mjeken Afrofiti Gjyli, edhe ajo inspektore. Të tre dyshohen se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga pronarët e lokaleve, në këmbim të mosmarrjes së masave për ligjin antiduhan. Policia i kishte vënë në përgjim të tre këta punonjës, pasi kishte kallëzime nga katër pronarë lokalesh në qytetin bregdetar./Indeksonline/