E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për gratë e dhunuara, lufta vazhdon

“Lufta në Kosovë për shumë qytetarë të Kosovës ka përfunduar para 13 vjetësh, por për 20 mijë gra, të cilat kanë qenë viktima të dhunës seksuale, kjo luftë po vazhdon”, u tha të në një debat me temën “Qasja në drejtësi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Gratë e dhunuara gjatë luftës vazhdojnë të mos kenë ende përkrahje të duhur institucionale, kurse autoritetet thonë se po ndërmarrin të gjitha masat ligjore që ato gra të gëzojnë një mbrojtje ligjore si kategori e dëmtuar e luftës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi bëri të ditur se qeveria ka formuar një grup punues ndërministror për ballafaqim me të kaluarën, i cili do të zyrtarizohet së shpejti. Ky grup, siç thekson Kuçi, do të ketë për detyrë përpilimin e strategjisë kombëtare për ballafaqim me të kaluarën.

“Dua t’ju siguroj që ky grup do të merret me hollësi edhe me çështjen e riparimit të dëmeve të viktimave të luftës, që janë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Qeveria nuk e ka për qëllim që gratë dhe femrat e dhunuara të lihen jashtë apo anash politikave riparuese”< deklaroi Kuçi për Radion Evropa e Lirë.

“Pasi të analizojë politikat aktuale, ku grup do të shohë mënyrën se si ato të trajtohen më drejtë, më mirë dhe si mund të realizohen të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës dhe të mos u mohet e drejta për tu dëmshpërblyer për dhimbjet nëpër të cilat kanë kaluar”, ka thënë Kuçi.

Para largimit nga Kosova në qershor të vitit 1999, forcat ushtarake, policore dhe ato paramilitare serbe, përveç mbi 10 mijë të vrarëve dhe shkatërrime masive, lanë pas vete një plagë prej rreth 20 mijë femrave të dhunuara.

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku theksoi se për këto viktima do të ketë projekte dhe programe konkrete zhvillimore. Programe, që siç tha ajo, do t'i japin dinjitet e drejtësi këtyre viktimave, e jo lëmoshë dhe lule.

“Që nga paslufta, gjendja e këtyre grave ka qenë e mjerueshme. Ne si shoqëri dhe si institucione duhet të përballemi dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi. Lufta në Kosovë për shumë prej nesh ka përfunduar para 13 vjetësh, por për 20 mijë gra dhe familjet e tyre kjo luftë vazhdon. Për këtë arsye duhet të angazhohemi që të ofrojmë projekte konkrete, në mënyrë që këtyre grave t’iu japim mundësi për dinjitet dhe prosperitet”, u shpreh Çitaku.

Ligji për të drejtat e viktimave të luftës hyri në fuqi në fund të vitit 2011 dhe sipas tij përdhunimet e luftës nuk janë klasifikuar si krim lufte.

Në konferencë u theksua si e nevojshme një ligj i veçantë që do të ofronte përkujdesje institucionale për këtë kategori të viktimave.

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu tha se agjencia është në proces të hartimit të planit të veprimit për zbatimin e rezolutës 13-25 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Gratë Paqja dhe Siguria”.

“Qëllimi ynë është që me zbatimin e planit të veprimit nacional viktimat e dhunës seksuale, torturës dhe forma të tjera të dhunës të ushtruara gjatë luftës, të kenë qasje në mekanizmat funksionale për mbrojtjen, qasjen në drejtësi, rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre”, theksoi ajo.

13 vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk ka asnjë të dënuar për rastet e dhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›