E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të reintegrohën viktimat e dhunës në familje

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes projektit Iniciativa për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gruas (WSSI Plus) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin, me një konferencë që shtjelloi çështjen e Reintegrimit të Viktimave të Dhunës dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore në Kosovë.

Duke marrë parasysh që reintegrimi i viktimave është njëra nga pengesat kryesore në procesin e zbatimit të strategjive kombëtare kundër dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë, konferenca mblodhi akterë vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe veprimet, si dhe rekomandimet për mbështetje të mëtejshme për ofruesit e shërbimeve dhe viktimat.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje theksuan rëndësinë e angazhimit të të gjitha sferave shoqërore në parandalimin dhe luftimin e këtyre dukurive.
Osnat Lubrani, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së me këtë rast tha se “Kosova sot i ka strategjitë kombëtare dhe planet e veprimit mbi dhunën në familje dhe trafikimin e qenieve njerëzore si mjete për të shërbyer si udhërrëfyes për ministritë përkatëse, organet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin, për të siguruar që gratë të jenë të mbrojtura, që të mbijetuarit e dhunës të kenë ndihmë shëndetësore (fizike dhe mendore), dhe qasje në ndihmë juridike. Sigurisht, më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet dënimit të autorëve të dhunës. Megjithatë, kjo konferencë në mënyrë specifike synon të tërheqë vëmendjen për rëndësinë që grave, të mbijetuarave të dhunës ose të trafikimit me qenie njerëzore, të ju sigurohet mbështetje afat-gjatë për t’u reintegruar brenda familjeve dhe komuniteteve të tyre, në mënyrë që ato të mund të lënë pas vetes traumën e dhunës dhe t’i kthehen të ardhmes. Reintegrimi shkon përtej mbrojtjes fizike dhe ofrimit të sigurisë minimale materiale dhe këshillave urgjente mjekësore ose juridike. Reintegrimi do të thot edhe përgatitja e grave për të jetuar një jetë të sigurt dhe të pavarur”.
Robert Bosch, Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Kosovë theksoi se “Ambasada e Holandës në Kosovë gjatë viteve të fundit ka mbështetur iniciativa të shumta për të trajtuar fenomenin e dhunës ndaj grave. Përveç mbështetjes së dhënë për qeverinë e Kosovës për zbatimin e ligjit, ne kemi ndihmuar edhe organizatat e shoqërisë civile në zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve të tyre për të përmbushur nevojat specifike të grave viktima të dhunës në familje apo të trafikimit të qenieve njerëzore.”

Ndërkaq, Daut Xhemajli, Koordinator Nacional kundër Dhunës në Familje potencoi se sa është i rëndësishëm një koordinim në mes të gjithë akterëve të involvuar për të arritë rezultate: “Ne ende kemi nevojë për një koordinim më të mirë në të gjitha nivelet. Të gjitha rasteve duhet t[u jipet prioritet maksimal dhe të trajnohen njerëzit të cilët do të mirren me rastet.”
Sasa Rasic, Koordinator Nacional kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore përsëriti përkushtimin e qeverisë për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore: “ne do të vazdojmë të japim përkrahjen tonë të gjitha viktimave të trafikimit me njerëz dhe do të bëjmë çmos që të mundësojmë reintegrimin e tyre të plotë në shoqëri.”

Një grua, viktimë e dhunës në familje dhe përfituese e ndihmës ndau përvojën e vet me pjesëmarrësit. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›