Për 28 orë, 3 mijë nënshkrime kundër ligjit për Amnistinë

Brenda 28 orëve, peticionin kundër Projektligjit për Amnisti e kanë nënshkruar mbi 3 mijë qytetarë. Këtë gjë e konfirmoi për “Zërin”, Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, ndonëse sipas tij, kjo shifër nuk është fikse, sepse siç ka thënë Deda, numri mund të ndërrojë nga çasti në çast.
“Ky peticion është paraparë që të jetë i hapur për qytetarët deri të mërkurën, por mund ta shtyjmë këtë ditë dhe peticionin ta lëmë të hapur deri të premten. Ky numër është më i kënaqshëm se sa që e kam pritur është numër i hatashëm i njerëzve të cilët ndalen dhe nënshkruajnë dhe mua më duket që do t’i mbërrijmë nënshkrimet e duhura deri në fund të javës. 10 mijë nënshkrime nevojiten që ky peticion t’i dërgohet presidentes”, ka treguar Deda, shkruan zëri.
Nënshkrimi i peticionit kundër Projektligjit për Amnisti, ka filluar të mërkurën në orën 11:55, në Sheshin “Nënë Terezë”. Ky peticion është organizuar nga shoqëria civile, shoqëri kjo e cila ka ftuar të gjithë qytetarët që të enjten, në ditën kur pritet të miratohet në Kuvend ky Projektligj, të dalin dhe të protestojnë kundër Ligjit për Amnisti./Indeksonline/