E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Bayernin refuzoi gjysmën e Evropës

Bayern Munichu e ka transferuar edhe zyrtarisht Xherdan Shaqirin. Mesfushori kosovar ndihet i nderuar që nga sezoni i ardhshëm do të luajë në një klub të madh si Bayerni, për të cilin thotë se refuzoi oferta nga gjysma e Evropës. 20 vjeçari insiston se do ta luftojë konkurrencën për të luajtur sa më shumë. Mirëpo, fillimisht dëshiron t’i shënojë gol dhe ta eliminojë ekipin e tij të ardhshëm nga Liga e Kampionëve.

Bayern Munich ka njoftuar se e ka transferuar mesfushorin kosovar Xherdan Shaqiri.

Përfaqësuesi zviceran ka nënshkruar kontratë për katër vjet, e cila do të fillojë nga vera e këtij viti. Nga shitja e tij, kampioni aktual zviceran do t’i përfitojë 12 milionë euro, një shumë kjo rekorde e shitjes së një futbollisti në futbollin zviceran.

I shumëkërkuari Shaqiri ishte bërë objektiv i shumë skuadrave gjatë afatit kalimtar të janarit, por në fund vendosi t’i refuzonte ato, pasi që preferoi ta priste momentin e duhur për t’u transferuar në klubin bavarez.

“Nuk është e lehtë të transferohesh në një klub si Bayerni nga Superliga zvicerane. Dëshiroj t’i shfaq vlerat e mia dhe të luftoj me konkurrencën”, deklaroi fillimisht Shaqiri në konferencë për shtyp.

“Më kërkonte gjysma e Evropës. Në 2-3 vjetët e fundit është shkruar shumë për mua. Mirëpo, jam i nderuar që më erdhi një mundësi nga një top klub si Bayerni”, shtoi futbollisti kosovar, i cili e ka zgjedhur fanellën me numrin 17.

Shaqiri ka folur edhe për sfidën në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, ku do të takohet pikërisht me klubin bavarez. “Shpresoj ta vazhdoj eksperiencën në Ligën e Kampionëve me Baselin. Nëse është e nevojshme, do të mundohem të shënoj kundër Bayernit”, vazhdoi Shaqiri i cili e pranon se ka nevojë ende të mësojë.

Ai e përshkruan veten si lojtar me tipare ofanzive, ndërsa thotë se nuk ka pasur kontakte me ndonjërin nga lojtarët e mëdhenj si Robben, Ribery e Gomez, por që është takuar me ta në ndeshjen e Ligës së Kampionëve vitin e kaluar.

Nerlinger: Të lumtur që e morëm Shaqirin

Kështu, Bayerni u tregua më i shkathëti, duke e transferuar njërin prej talentëve më të mëdhenj të futbollit evropian sot. “Jemi mjaft të lumtur që e kemi menaxhuar mjaft mirë situatën dhe e kemi transferuar njërin prej talenteve më të mëdhenj në Evropë”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Christian Nerlinger, për ueb faqen zyrtare të klubit.

Heynckes: Shaqiri do të jetë lojtar i rëndësishëm i Bayernit

Edhe trajneri Jupp Heynckes ndihet i kënaqur që do ta ketë në dispozicion nga sezoni i ardhshëm një lojtar të kalibrit si Shaqiri, i cili ka shkëlqyer në dy vjetët e fundit, me Baselin dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.

“E kam përcjellë disa herë dhe jam bindur se ai mund të jetë lojtar i rëndësishëm për Bayern Munichun. Ekipi ynë do të jetë më i fuqishëm me inteligjencën e futbollit që e posedon Xherdani. Aftësitë e tij në driblim janë një pasuri më shumë në potencialin tonë ofanziv. Jam i bindur se ai mund të japë kontribut për ne”, deklaroi trajneri gjerman.

Klubi bavarez do ta ketë mundësinë ta shohë më nga afër futbollistin kur do të takohet me Baselin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, më 22 shkurt, në St. Jakob-Park dhe më 13 mars në Allianz Arena.

Gjatë janarit, Shaqiri kërkohej me ngulm nga Galatasaray dhe nga Zenit Saint Petersburgu, por interesim për të kishin shfaqur edhe gjigantët anglezë, Manchester United e Liverpool, klubet italiane, Juventus, Milan, Inter e Napoli, si dhe ai gjerman, Hamburg.

Shaqiri ka shënuar 13 gola nga 80 paraqitje me Baselin. Ai e shfaqi talentin e tij edhe verën e vitit që shkoi, ku e ndihmoi përfaqësuesen U-21 të Zvicrës që të shkojë deri në finale të Evropianit, duke humbur në fund nga Spanja. Përkundër moshës së re, ai ka zhvilluar 17 ndeshje me përfaqësuesen A të Zvicrës, duke realizuar 4 gola.

Hitzfeld: Shaqiri, i dobishëm për Bayernin

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, i cili ishte edhe njëri prej ndërmjetësuesve për transferimin e Xherdan Shaqirit në Bayern Munich, është i bindur se futbollisti kosovar mund të jetë i dobishëm për klubin bavarez.

“Shaqiri është lojtar i shkëlqyeshëm. Është një lojtar që dëshiron ta ketë gjithmonë topin në posedim. Mund të luajë si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë, por edhe në qendër. Ai mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë. Ai mund të jetë zëvendësues ideal i Robben dhe Ribery. Ai nuk ka asgjë se çka të humb. Ai mund të fitojë shumë, nëse ndonjëri nga ta do të largohej”, deklaroi trajneri gjerman.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›