E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeneli zëvendëson Abazin ?

Selajdin Zeneli mund të rikthehet në krye të shtabit teknik të Lepencit, pozitë kjo që ka mbetur e zbrazët nga e mërkura, kur dha dorëheqje Arsim Abazi.

Trajneri ferizajas ende nuk i ka treguar arsyet pse ka vendosur ta braktisë ekipin kaçanikas, por jozyrtarisht mësohet se këtë vendim ai e kishte marrë në shenjë pakënaqësie me punën e zbehtë të kryesisë së klubit.

Megjithatë, pozita e kryetrajnerit të Lepencit nuk pritet të mbetet gjatë e zbrazët. Në këtë post pritet të rikthehet Selajdin Zeneli. Kështu kanë pohuar burime të Expressit nga Kaçaniku.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Express, as vetë Zeneli nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i rikthehet skuadrës kuq e zi për sezonin pranveror.

Nën drejtimin e trajnerit kaçanikas, Lepenci ishte ngjitur në Superligë, ku pas dhjetë xhirove të zhvilluara, Zeneli kishte dhënë dorëheqje shkaku i rezultateve të dobëta. Në vend të tij, trajner ishte emëruar Arsim Abazi.

Përveç Abazit, nga pozita e drejtorit dorëheqje ka dhënë edhe Berajdin Shehu.

Lepenci e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë të renditjes tabelore me 22 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›