Për Gruan e Errësirës

Filmi fillon me paraqitjen e jetës së një familjeje japoneze. Bunkichi, njëri nga protagonistët kryesor, prezantohet si familjar me prirje të shumta, por edhe si një njeri me shije, i gatshëm për sakrificë. Temperamenti dhe dëshira e vazhdueshme për alkool e duhan është prezent në jetën e tij sociale. Kafshatën e gojës e siguron nga qepja dhe harnimi.
Okiyo - gruaja e Bunkichi - është e kuptueshme dhe butë, edhe pse shpeshherë vë në pikëpyetje përshtatshmërinë e saj për jetë të përbashkët. Nipi i Bunkichi, Seichi, jeton jashtë qytetit.
Studion drejtësinë, edhe pse shpesh dyshon se mund të kishte studiuar letërsinë. Arsimimi varet nga nëna e tij, Otoku, e cila, pavarësisht moshës, punon në një restorant të qytetit. Ajo ka vetëm një dëshirë; që i biri i vetëm ta mbarojë shkollimin. Seichi, i cili duket si tip introvert (brendshëm) nuk flet shumë për jetën e tij – të plotësuar inkognito – por, nga daja dhe e ëma vazhdimisht reklamohet në shoqëri. Ndryshe, Seichi është i lidhur me një vajzë shumë të re e të papjekur, që njihet si Otaku. Otaku është vajza e Kotaro, një femër kjo që po ashtu punon në restorantin ku punon edhe nëna e Seichi. Ajo më parë kishte një lidhje me dajën e Seichi.
Lidhja ishte komplikuar pas informatës se ishte shtatzënë, dhe se së shpejti do të bëhej nënë. Por, gjendja e keqe sociale - për shkak se Seichi duhej të diplomonte, dhe ngase Otaku jeton nga të ardhurat e nënës – në momente të caktuara ilustron tiparet e ‘gejshave’ tek Otaku. Pas keqardhjes, dhe në pamundësi që t’i tregojë nënës për lidhjen me vajzën e re, Seichi vendos të takojë dajën dhe të gjejë një zgjidhje adekuate për rrethanat e trashëguara. Nga ana tjetër, Bunkichi i thotë motrës së vet (nëna e Seichi) se e ka tradhtuar gruan, se vajza tani është shtatzënë dhe se është mirë që ajo të bisedojë me gruan e tij – meqenëse çifti nuk kishte mundësi të kishte fëmijë në mënyrë të rregullt – sepse fëmija do të braktisej nga gruaja e tij...
Marrëveshja e rreme, mes Bunkichi e Otaku, zgjat deri atëherë kur Seichi kthehet i diplomuar në qytet. Çdo gjë komplikohet me vdekjen e Otaku, shkaku i nivelit të lartë të uremisë gjatë lindjes. Seiki rikthehet në qytet, dhe njoftohet për vdekjen. Me rekomandimin e dajës, se më mirë është që nganjëherë të gënjehet se të thuhet e vërteta, ai ndez vetëm një temjan.
Karakteret: Fitohet përshtypja se shumica e karaktereve s’janë të përfunduar. Përveç protagonistit Buichi, i cili vazhdimisht zhvillohet në ekstremet papërgjegjësi-sakrificë. Seichi nuk është person universal, ngase veprimet e tij kufizohen me indiferencë e mosveprim. Mungesa e emocioneve është prezente edhe në momente kulminacioni (si situata e shtatzënisë dhe ndarja e detyrueshme, e cila nuk guxon të përshkruhet vetëm si një teknikë roli). Parimisht, tri rolet e femrave mund të ilustrohen si të barabarta, pavarësisht dallimeve në moshë. Tek secila zhvillohen dëshirat dhe qëllimet e ndryshme. Pavarësisht autoritetit në restorant, nëna e Seichi tregohet e thyeshme dhe e dobët në raport me djalin e vetëm. Frika nga izolimi është evidente. Gruaja e Bunkichi është e interesuar që të bëhet nënën, pavarësisht çmimit. Ndërsa, vajza e re sakrifikohet për një fëmijë, duke e motivuar kështu Seichi që ta lër atë shkaku i diplomimit.
Thurja e rrëfimit nuk është dinamike. Konflikti (1) ndodh kur mungojnë të hollat për pagesën e ushqimit dhe alkoolit (diku pas minutës 35, dhe ekspozicioni ishte i gjatë). Ndërkaq, kulminacioni zhvillohet (diku në minutën 60) me aq pak emocione, saqë kisha përshtypjen se s’po ndodh asgjë me
rëndësi. Shthurja (që ndërlidhet me adaptimin eventual të fëmijës) dhe epilogu zhvillohen me një frymë. Në shumë situata të rëndësishme mungon motivacioni (përvetësimi i fëmijës) sepse kur bëhet fjalë për fëmijën çdo gjë ndryshon.
Realizimi: Realizimi i nënshtrohet kohës. Shumica e kuadrove janë statike, me mizanskena gjeometrike. Në enterierin ku zhvillohet i gjithë rrëfimi është prezente lëvizja e kamerës, sidomos në fillimin e skenave. Madje, në dy momente ishte interesante lidhja e hapësirave dhe krijimi i thellësisë, me ndihmën e lëvizjes së vazhdueshme të kamerës në drejtim dhe nga aktorët. Po ashtu, prezente është edhe baraspesha mes totaleve dhe groplanëve, edhe pse pjesa dërrmuese e kuadrove xhirohet në enteriere. Ndriçimi është konstant dhe pa kontraste, por, fatkeqësisht, me shumë defekte nën lidhjen e kuadrove dhe në montazh. Për shijen time, ndoshta kuadri më i bukur - në kuptimin vizual – ishte ai kur Otaku ishte shtrirë e sëmurë në krevat, e në thellësi shihej tymi i fabrikës, gjë që kundërshtonte gjendjen e saj fizike, duke krijuar një metaforë të vazhdueshme të lëvizjes.
Autori është regjisor dhe kritik arti. Shkrimi është realizuar në bashkëpunim me Chris Fujiwara, mentor në Pricritic Film Festival.