E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemi dosje sabotimi

Organi i akuzës tha se dosja e vetme hetimore që ndodhet në prokurori, ka si objekt kallëzimin e një subjekti privat për abuzime me procedurat e tenderit të privatizimit të ish-kompanisë shtetërore të naftës

TIRANË - Në prokurori nuk ka asnjë dosje me objekt hetimin e personave që dyshohet se mund të kenë sabotuar privatizimin e kompanisë “ARMO”. Ky është reagimi zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme për deklaratën e kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë, kur tha se zyrtarë të ndryshëm kanë tentuar të sabotojnë privatizimin e “ARMO”-s. Burime zyrtare pranë prokurorisë thanë për “Korrierin”, se në këtë institucion ekziston vetëm një dosje hetimore me objekt verifikimin e procedurave të privatizimit të kompanisë në fjalë, hetim i cili nuk ka asnjë lidhje me ndonjë grup të mundshëm armiqësor, apo zyrtarë të dyshuar për sabotim. Konfirmohet fakti se pak kohë më parë në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një kallëzim penal nga një prej firmave pjesëmarrëse në tenderin për privatizimin e ish-kompanisë shtetërore të naftës. Firma në fjalë, e cila konkurroi për të marrë kompaninë “ARMO”, sipas burimeve pretendon se ka pasur abuzime me procedurat e zhvillimit të tenderit. Kjo dosje tashmë ndodhet në Prokurorinë e Tiranës, ku po zhvillohen hetimet përkatëse për verifikimin e pretendimeve të paraqitura nga subjekti privat. Zyrtarisht, organi qendror i akuzës tha se kjo është dosja e vetme që strukturat hetimore kanë në dorë për momentin, duke përjashtuar kështu ekzistencën e një çështjeje me objekt sabotimin e privatizimit të kompanisë “ARMO”. Lidhur me deklaratën e kryeministrit, burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme, institucion ky i përgëzuar nga shefi i qeverisë për punë të mirë në parandalimin e sabotimit, thanë se nuk mund të japin asnjë detaj rreth emrave të zyrtarëve që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte hetimin. “Përderisa kryeministri nuk përmendi emra, as ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”, - tha një burim në Ministrinë e Brendshme. Por çështja e “grupit armiqësor” në naftë ka nxitur edhe reagimin e zëvendësministrit të Ekonomisë. Në një prononcim për mediat, Neritan Alibali ka pranuar faktin se para tenderit për privatizimin e kompanisë shtetërore ka pasur tentativa të vazhdueshme për vjedhjen e informacioneve të klasifikuar si konfidencialë. “Është tentuar të vidhen informacione konfidenciale. Është tentuar të hyhet për të marrë informacion dhe për t’i bërë presion komisionit për të ndryshuar punën e grupit”, - u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali. Me gjithë deklaratat e kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe zëvendësministrit të Ekonomisë, prokuroria thotë se nuk ka në zyrat e saj asnjë dosje të tillë, duke mos përjashtuar mundësinë që sabotimi i dyshuar të jetë ende në fazë gjurmuese nga Policia Kriminale, e cila mund ta depozitojë dosjen në organin e akuzës vetëm pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave në rrugë operative. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›