100 shfaqjet e romantikut...

Pjesëmarrja e Kledit në petkun e Romeos është cilësuar sensionale nga mediat italiane. Dhe jo pa shkak. Asgjë nuk do të kishte mundur të bënte nëse s’do kishte atë bagazh artistik me vete. Balerini shqiptar Kledi Kadiu, idhulli i qindra e mijëra të rinjve italianë dhe shqiptarë, tepër i njohur në programet e “Canale Cinque”, tashmë i është rikthyer rutinës. Pas shfaqjeve të njëpasnjëshme të tragjedisë së Shekspirit, që do të finalizohen me shfaqjen e 100-të, ai do të jetë pjesë e një formule të re. Është fjala për “Il ballo delle debutanti”, një spektakël i ri në “Canale 5”, prodhim i Maria de Filipit, në të cilin balerini shqiptar do të jetë i pranishëm. Është një spektakël që do të nisë më 14 shtator, ndërkohë një tjetër projekt është edhe shkolla, së cilës tashmë ia ka ndryshuar emrin.
-A vazhdon shfaqja “Romeo dhe Zhulieta?
“Po, vazhdoj të jem i angazhuar me këtë shfaqje të mrekullueshme. “Romeo dhe Zhulietën” e zgjodha vetë, pasi m’u bë oferta. Më pëlqeu shumë dhe u tregova i disponueshëm për të luajtur në këtë balet modern kontemporan. Koreografin e shfaqjes, Fabricio Monteverdi, e kam njohur kohë më parë, por nuk kam punuar. Ndërsa trupa e baletit të Romës është një nga kompanitë më të njohura dhe të mira të Italisë, ndaj ishin letrat e duhura që unë ta bëjë këtë rol në këtë shfaqje”.
-Si vijoi projekti me këtë vepër?
Me “Romeo dhe Zhulietën” në 20 tetor në Teatrin Olimpik në Romë, kur është dhe data e fundit që mbyllet me kryeqytetin. Kemi qenë në turne të ndryshme dhe mund të them se gjatë kësaj kohe publiku ka vlerësuar shumë disa momente të vënies në skenë, siç është pjesa e deklarimit të dashurisë në ballkon. Kemi bërë mjaft shfaqje në vjeshtë në Olimpik, dhe mbushen plot 100 shfaqje të “Romeos dhe Zhulietës”, ku ne jemi gati për ta përjetuar eksperiencën e Romës, e më pas do të ketë ndonjë projekt tjetër”.
-Kemi dëgjuar që jeni pjesë e një formule të re televizive?
“Është e vërtetë, pasi në 21 shtator do të nisë “Il ballo delle debutanti”. Kjo është një formulë që ka bërë “RAI”, ku përfshihen personazhe të ndryshëm që nuk dinë të kërcejnë. Ndërkohë që ne balerinët, unë, Leoni, pjesëtarë të “Amiçit”, jemi vetëm djem profesionistë, ndërsa vajzat me të cilat do të kërcejmë janë në hapat e parë të baletit. Është një program që do të zgjasë gjashtë a shtatë seri, një prodhim sërish i Marias, por që do të prezantohet nga dikush tjetër. Ndërkohë, në tetor do të nisë produksioni i tetë i “Amiçit”. Aty si gjithmonë do të jemi unë, Ambeta, Leoni etj”.
-Po me shkollën tuaj private si po shkoni?
“Kam pak kohë që i kam ndryshuar emrin e shkollës nga “Kledi Akademi” e bëra “Kledi, pensiero danca”, në të cilën aktualisht kam shumë projekte dhe po ecin mirë”.
-Mes gjithë këtyre projekteve që ju presin, a ka Kledi një “Zhulietë” pranë?
“Për sa i përket lidhjes nuk kam ndërkohë ndonjë të tillë serioze, afatgjatë, sepse puna jonë është punë e veçantë, ku duhet t’i jap më shumë kohë kësaj që bëj. Kur të gjej personin e rëndësishëm për mua, atëherë kjo do të ndodhë pa e kërkuar unë”.